Lajme

Hoxha: Dialogu në ngërç, palët operojnë në universe paralele

07/03/2024 22:00
nga:Sh R

Analisti politik Dibran Hoxha e ka vlerësuar si të pamjaftueshëm dhe të bllokuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi që sipas tij me vendosjen e kushteve po bëhen shfaqje teatrale.

Hoxha në Debat Plus, ka theksuar se palët “operojnë në universe paralele”, duke mos arritur të paraqesin qartë pozicionet e tyre dhe duke e mbytur kështu mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve.

“Në momentin që vendos një datë e takimit në Bruksel, kur ka shku zoti Kurti në mostakimin që nuk ndodhi me Vuciqin ka shkuar duke mos pasur një qëllim të qartë, duke mos i paraqitur qartë pozicionet e palëve. Nëse e sheh edhe prej ditës së djeshme edhe në këtë muaj të fundit sesi është zhvilluar dialogu është komplet proces shpërberë për faktin se të gjitha palët operojnë në universe paralele, del Petkoviq dhe thotë se Kosova është pala e cila po e mbyt dialogun dhe akuzon Bislimin. Del Bislimi dhe thotë po ashtu se Serbia nuk është e interesuar dhe po e shkel dialogun, dhe se duhet ta normalizojnë marrëveshjen”, ka thënë Hoxha.

Ai gjithashtu ka kritikuar rolin e BE-së dhe deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se kushtet nga ana e tyre po bëhen për konsum të brendshëm dhe se po e bëjnë procesin një shfaqje teatrale.

“Në ndërkohë prej Bislimit e dëgjova se BE-ja nuk është e kënaqur në hapat që janë bërë ne proces sepse ata kanë supozuar që do të ecën më shpejt. Në ndërkohë ne jemi në një ngërç tash e sa kohë në dialog, edhe pse pas Banjskës qëndrimet zyrtare të përfaqësueve tanë kanë qenë se nuk shkohet në Bruksel pa u zgjidhur çështja e Banjkës kanë vazhduar takimet për dinarin. Një shfaqje teatrale për me vendos disa kushte dhe për me na dhënë material për konsum të brendshëm”, ka deklaruar analisti politik, Dibran Hoxha.