Lajme

Hovenier: Takimet e Kryenegociatorëve në Bruksel kanë ngushtuar dallimet, përparimi është urgjent, s’duhet pritur 2024-ta

11/30/2023 21:16
nga:G C

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier  ka folur për nevojën urgjente që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën Drejtë Normalizimit. Diplomati amerikan ka përmendur disa herë kërkesën e Sholc, Makron e Meloni që Kosova të nis Asociacionin e Serbia ta japë njohjen de-facto.

Hovenier teksa ka folur për takimet e fundit në Bruksel të kryenegocaitorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, ka thënë se është në dijeni të asaj që dallimet mes palëve po ngushtohen. Sa i përket frikës se Asociacioni mund të çrregullojë shtetin e Kosovës, Hovenier ka specifikuar parimet mbi të cila SHBA përkrah themelimin dhe ka potencuar se as Uashingtoni zyrtar s’është i interesuar të bëhet pjesë e një procesi që e prish funksionimin e shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se është urgjente që Qeveria të ecë përpara me procesin dhe të kryejë punën e saj duke aprovuar Draftin dhe që të njëjtin ta procedojë për në Gjykatë Kushtetuese.

Numri një i SHBA-së në Prishtinë kur ka folur për parashikimin e diplomatëve për vitet 2024-2025 si kohë kur mund të pritet përparim mes Kosovës e Serbisë, ka thënë se është çështje e vullnetit të palëve por që s’do të dëshirojë të pritet për afatin kohor të përmendur. Sa i përket aspektit të sigurisë në Veri dhe deklaratës së fundit të Stoltenberg për dislokimin e forcave serbe në afërsi të kufirit, Hovenier ka thënë se e bën gjumin rehat duke e ditur që NATO dhe ushtarët amerikanë janë në Veri. /Express/