Janë përuruar sot nyjat qendrore arsimore në kuadër të RIT Kosova, të cilat janë mbështetur nga USAID-i në vlerë rreth 700 mijë dollarë amerikan.
Me rastin e përurimit të këtyre laboratorëve, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se ky projekt do të përmirësojë cilësinë e arsimit në Kosovë, si dhe do nxitë bashkëpunimin ndëretnik në nivel lokal.
“Kjo nismë i ka dy qëllime kryesore. E para për të nxitur bashkëpunimin ndëretnik përmes mundësive të përbashkëta të mësim-nxënies shkencore dhe e dyta për të pajisur kosovarët me shkathtësitë që iu nevojitet për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit…Kjo do t’i mundësojë mijëra nxënësve të të gjitha etnive nga krejt Kosova që të mësojnë së bashku duke përdorur pajisje shkencore, burimet akademike dhe mbështetjen teknike me standardet amerikane”, tha ai.
Implementimin e këtij projekti e mirëpriti edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se këta laboratorë do të ndihmojnë në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.
“Kjo është një nismë tejet e qëlluar dhe një nismë që është në linjë të plotë me politikat e qeverisë sonë. Është në linjë të drejtpërdrejtë me veprimet që kemi marrë si qeveri që nga marrja e mandatit tonë. MAShT ka marrë hapa konkret dhe është e rrugës të theksoj se qeveria jonë ka arritur të kombinojë të dy këto elemente në procese të përbashkëta gjatë punës së saj”, deklaroi Nagavci.
Ndërkaq, drejtori i RIT-Kosova, Kamal Shahrabi, tha se laboratorët kanë teknologjinë e fundit dhe t’iu ndihmojnë nxënësve të interesuar.
“Janë tri faza që këto laborator do të hapen. Është faza e parë, laboratori shkencor, do të shihni një teknologji të kohëve të fundit, për të cilën nuk besoj se as në spitale dhe qendra mjekësore do t’i shihni këto lloj laboratorë. Pastaj do të shihni laboratorët edhe të elektroinxhinieresë”, theksoi ai.
Kamenica është komuna e parë ku do të implementohet ky projekt.