Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se ministrat nuk është mirë të udhëtojnë jashtë vendit në kohë krize.
Ai ka thënë se ata duhet angazhuar brenda vendit.
Hovenier, duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me vizën për ministren e Drejtësise, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk e sheh të vështirë që një ministër të marr vizë amerikane, por tani për tani, për shkak të krizës pas ngjarjeve në veri, nuk është koha më e duhur që ministrat të udhëtojnë për në SHBA për takime zyrtare.
“Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare, duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier.
Më herët gjatë ditës shefi i Kabinetit në ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni ka reaguar sot gjatë ditës ndaj raportimeve dhe pyetjeve nga mediat nëse ministres Albulena Haxhiu i ishte refuzuar viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Disa media, kanë drejtuar pyetje dhe po raportojnë se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka refuzuar vizën për Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe është anuluar vizita në ShBA. Një lajm i tillë përveç se është i pavërtetë dhe shpifës, është tendencioz dhe ka për qëllim shpërndarjen e informatave të pavërteta për zyrtaret e lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nimoni.


