Në takimin lamtumirës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, është takuar me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.
Hovenier bashkë me ministren Gërvalla kanë vizituar edhe kompleksin memorial të Jusuf e Bardhosh Gërvallës në Dubovik.
“Ishte privilegj të bashkohesha me Zëvendëskryeministren dhe Ministrin e Jashtëm Gervalla-Schëarz në kompleksin përkujtimor të babait dhe xhaxhait të saj, Jusuf dhe Bardhosh Gervalla, në Dubovik për takimin tonë lamtumirës. Diskutuam progresin që ka bërë Kosova gjatë mandatit tim këtu dhe përkushtimin e qeverisë së SHBA-së për avancimin e rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Hovenier në platformën “X”.
Ky takim shënon përfundimin e mandatit të ambasadorit Hovenier në Kosovë.
Hovenier ka nisur mandatin e tij në dhjetor të vitit 2021. Ai është një diplomat me përvojë të gjatë, i cili ka shërbyer në disa vende dhe pozita të rëndësishme brenda Departamentit Amerikan të Shtetit.
Hovenier ka luajtur një rol të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës, duke u fokusuar në çështje si sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, dhe integrimi i Kosovës në strukturat ndërkombëtare, përfshirë ato evropiane dhe euroatlantike.
Gjatë mandatit të tij, ai ka qenë një zë i fuqishëm për mbështetjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Para se të merrte detyrën në Kosovë, Hovenier ka shërbyer në pozita të ndryshme diplomatike, përfshirë si zëvendësshef i misionit në Ambasadën Amerikane në Turqi dhe si këshilltar në lidhje me Ballkanin Perëndimor në Departamentin e Shtetit.
Ai gjithashtu ka qenë i përfshirë në procesin e negociatave për Marrëveshjen e Rambujesë, që i parapriu ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë më 1999.
Ambasadori Hovenier njihet për angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në rajon.