Lajme

Hovenier mirëpret heqjen e kufizimeve për mallrat nga Serbia

10/08/2024 15:57
nga:G B

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier përmes një postimi në rrjetin social “X” ka thënë se heqja e kufizimeve për mallrat serbe është hap i rëndësishëm për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

“I kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ne vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, ka shkruar Hovenier.

Vendimi i Qeverisë është përshëndetur edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian si dhe nga shtetet si Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se pikat kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat sapo të bëhen funksional skanerët me rreze X.

Deri atëherë, sipas tij, vetëm pika kufitare në Merdarë është hapur për të gjitha mallrat, por me kontrolle manuale të sigurisë.