Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur të hënën kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Ai i ka bërë këto deklarata, pas një takimi që ka zhvilluar të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe diplomatë tjerë të huaj.
Rregullorja e BQK-së – që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt – parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euroja.
Kështu, serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit.
“Ne natyrisht se përkrahim përpjekjet për të shmangur krimet financiare, shpëlarjen e parave, financimin e terrorizmit dhe të ngjashme, por ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.
I pyetur nëse Qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.
Hovenier ka thënë se ndonëse Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e Kosovës për respektim të Kushtetutës së vendit, SHBA-ja beson që duhet të ketë periudhë edukuese për rregulloren e re.
Kur është pyetur për reagimin e Qeverisë për kërkesën e tij dhe faktorit ndërkombëtar, Hovenier ka thënë se “do t’i lë ata të flasin” në këtë drejtim.
Hovenier, Bashkimi Evropian dhe mekanizma tjerë e kanë kritikuar që disa ditë Qeverinë e Kosovës për mosshtyrje të zbatimit të rregullores.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se do të sigurohet tranzicion i lehtësuar.
Hovenier ka thënë se shpreson që në këtë periudhë tranzitore të merren parasysh shqetësimet e faktorit ndërkombëtar.
Për dinarin
Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar qysh prej pasluftës.
Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia.
Ky vend i ka ndarë 139 milionë euro për serbët në Kosovë për vitin 2024 – rreth 11 milionë më shumë sesa më 2023.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kritikuar ashpër vendimin e BQK-së, duke e konsideruar vendimin e autoriteteve si tentim për dëbim të serbëve nga Kosova.
Presidenti serb, Aleksadar Vuçiq, është zotuar se Serbia do të gjejë institucione që do të marrin licenca për të mundësuar dërgimin e parave për serbët në Kosovë.
Kreu i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka përmendur ditë më parë integritetin financiar si arsyen kryesore për zbatimin e rregullores.
Sipas tij, vendimi e mbron Kosovën “nga paratë e falsifikuara, nga financimi i terrorizmit, e mbron nga përdorimi i valutave që nuk janë origjinale”.
Të tjerë përmendin evazionin fiskal, në mungesë të kontrollit mbi dinarin.