Lajme

Hovenier: Cilido që të jetë rezultati i zgjedhjeve, institucionet do të përfaqësojnë popullin amerikan!

11/05/2024 19:18
nga:G B

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i lumtur për interesimin e lartë të popullit të Kosovës për zgjedhjet që po mbahen këtë të martë në SHBA.

Këto deklarime, ai i bëri në eventin special në televizionin Kanal 10, ndërsa ndau edhe disa mesazhe për Kosovën.

“Unë kam disa mesazhe që mendoj se janë të rëndësishme për t’i ndarë. Një, ne e kemi çmuar aq shumë interesimin e popullit të Kosovës për zgjedhjet tona. Është vërtetë e rëndësishme dhe ne jemi të lumtur që kemi këtë mundësi për të folur me të rinjtë kosovarë, por edhe me kosovarët e të gjitha shtresave për procesin tonë”, ka thënë Hovenier.

Tutje, ambasadori amerikan ka thënë se kushdo që i fiton zgjedhjet, institucionet amerikane do të vazhdojnë të përfaqësojnë popullin e SHBA-së.

“Gjëja tjetër që do të thoja është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një demokraci shumë e pjekur. Ne e kemi bërë këtë për më shumë se 200 vjet. Institucionet tona janë solide. Nuk e di rezultatin e këtyre zgjedhjeve, por e di se cilido që të të dalë, populli amerikan do të vazhdojë dhe institucionet amerikane të qeverisë do të vazhdojnë të përfaqësojnë popullin e Shteteve të Bashkuara”, është shprehur Hovenier.

Ndryshe, qytetarët amerikanë më 5 nëntor po votojnë në zgjedhjet historike presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentes demokrate, Kamala Harris.