Lajme

Hoti: Të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri, zgjidhja e përhershme duhet të jetë politike përmes dialogut

09/29/2023 13:47
nga:N K

Ish-kryeministri i Kosovës, dhe deputeti i tanishëm nga LDK-ja, Avdullah Hoti, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit, ka thënë se duhet të normalizohet jeta e qytetarëve atje, raporton Gazeta Blic.

“Është shumë e rëndësishme që, krahas hetimit për sulmin terrosit, të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se hetimet e institucioneve të Kosovës për sulmin terrorist në veri, duhet ta bëjnë me shumë profesionalizëm si dhe në kordinim me institucionet ndërkombëtare dhe se këto hetime duhet të bëhen edhe në Serbi.

Po ashtu ai tutje ka shkruar se krahas këtyre hetimeve duhet të punohet edhe për normalizim të jetës së përditshme në veri.

“Është shumë e rëndësishme që, paralelisht me këto hetime, të punohet për normalizim të shpejtë të jetës së përditshme në ato komuna. Në këtë drejtim, duhet të vendoset komunikim i ngushtë me komunitetin serb në çdo lokalitet përmes këshillave lokale për t’i mbajtur të informuar dhe për t’i siguruar se do të kenë mbrojtjen e nevojshme. Qytetarëve atje, e kemi për obligim tu krijojmë ambient të sigurt që të dërgojnë fëmijët në shkollë, të kryejnë obligimet e tyre familjare e të punës, si dhe të lëvizin lirshëm”, ka shkruar Hoti.

Ndër të tjera ai ka thënë se pikat kufitare duhet të hapen dhe të mbikqyren nga KFOR-i, dhe se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut në kordinim me SHBA-të

“Pikat kufitare duhet të hapen sa më parë dhe të normalizohet qarkullimi, por edhe të sigurohet mbikëqyrje e plotë e vijës kufitare nga ana e KFOR-it.

Ndërkaq, zgjidhja e përhershme afatgjate në veri duhet të jetë politike, përmes dialogut, dhe në koordinim të plotë me aleatët euro-atlantik, në veçanti SHBA-në”, ka shkruar Hoti.