Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka publikuar të gjeturat kryesore nga një hulumtim i NDI-së, i realizuar në maj të vitit 2026.
Hoti ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se premtimet e saj në disa fusha kanë qenë mashtrime elektorale.
“Premtimet për drejtësi sociale, eliminim të korrupsionit, shëndetësi e arsim cilësor dhe punësim e të ardhura të sigurta për të gjithë kanë qenë mashtrime elektorale”, ka shkruar Hoti.
Sipas të gjeturave të publikuara nga ai, 44% e të rinjve të moshës 18-24 vjeç mendojnë të largohen krejtësisht nga Kosova.
Ndërkaq, Hoti ka theksuar se problemi kryesor lidhet me koston e jetesës.
“Problemi më i madh në Kosovë është kostoja e jetës, që lidhet me çmimin e lartë të mallrave konsumuese dhe çmimin e energjisë elektrike”, thuhet në të gjeturat e publikuara prej tij.
Sipas këtyre të gjeturave, tri vështirësitë kryesore me të cilat përballet familja janë faturat e shërbimeve publike, ushqimet e përditshme dhe kujdesi shëndetësor.
Po ashtu, në mesin e rreziqeve kryesore për demokracinë në Kosovë janë korrupsioni, pabarazia ekonomike dhe mungesa e llogaridhënies së politikanëve.
Ndërsa, politikat më të nevojshme në Kosovë, sipas të gjeturave të publikuara nga Hoti, janë sigurimet shëndetësore, cilësia e shërbimeve shëndetësore, të drejtat e punëtorëve në sektorin privat dhe cilësia e arsimit.


