Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se sulmet ndaj mediave nuk bëhen pa dijeninë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, ai e ka quajtur lajm të mirë distancimin e disa prej gazetarëve të RTK-së nga kronika në lajmet qendrore, ku dy media kosovare atakohen si të “ndikuara nga Serbia”, duke iu thirrur në burimet e një mediumi boshnjak.
“Radio Televizioni I Kosovës është i Kosovës, ata që po e keqpërdorin këtë medium publik nuk po i shërbejnë Kosovës. E kam ngritur shumë herë në Komisionin për Buxhet mos profesionalizmin e Bordit të RTK-së dhe tendencën e partisë në pushtet për instrumentalizim të mediumit publik. Sot, mediat e tjera po sulmohen nga televizioni publik, për të cilin paguajmë mbi 8 milionë nga taksat tona. A mund të bëhen këto sulme pa u orkestruar nga partia në pushtet, ku nuk bëhet asgjë pa dijeninë e kreut të Qeverisë dhe kreut të partisë në pushtet”, ka thënë Hoti.