Lajme

Hoti: Sot 10% e familjeve janë dukshëm më të varfra se në vitin 2021

12/13/2023 22:27
nga:Genita C

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti thotë se Qeveria nuk i ka marrë parasysh propozimet që opozita ua kishte dhënë, raporton GazetaBlic.

Hoti përmes një shkrimi në “Facebook” ka cekur disa nga propozimet që i kanë dhënë Qeverisë.

“Me kohë u kemi thënë, qysh në vitin 2022 kur inflacioni ishte në kulm, se: (1) duhet të indeksohen pensionet dhe asistenca sociale për t’i mbrojtur familjet nga rënia e fuqisë blerëse dhe thellimi i varfërisë; dhe (2) duhet të ulet TVSH-ja nga 18% në 8% për plot mallra shtesë që janë elementare për konsumin e familjes.

Nuk i morën parasysh këto propozime, vetëm sepse erdhën nga opozita”, shkruan Hoti.

Sipas Hotit, sot 10% e familjeve janë dukshëm më të varfra se në vitin 2021.

“Si rezultat, sot 10% e familjeve janë dukshëm më të varfra se në vitin 2021. Po ashtu, për shkak të rënies së fuqisë blerëse të të ardhurave të familjeve, sot familjet i shpenzojnë rreth 60% të të ardhurave në ushqime, krahasuar me 38% në vitin 2021.

Tani shpenzojnë mbi 50 milionë euro ndihma të njëhershme, që nuk zgjidhin asnjë problem afatgjatë.

Problemi në afat të gjatë do ishte zbutur nëse do të indeksoheshin me kohë pensionet dhe asistenca sociale për normën e inflacionit”, shtoi tutje.