Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se i dërguari për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar e ka bërë të qartë edhe njëherë politikën e administratës së Joe Biden.
Sipas Hotit, Escobari në mënyrë specifike, ndër të tjerash, kërkon që të vazhdohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke.
Ish-kryeministri ka shtuar se Kosova duhet të Kosova duhet të koordinohet plotësisht me administratën amerikane siç e ka bërë ish-presidenti Ibrahim Rugova.
“Lidhur me politikën karshi regjionit dhe politikën e jashtme në përgjithësi, Kosova duhet të koordinohet plotësisht me administratën amerikane, siç ka bërë në vitet e para të vendosjes së themeleve të shtetit të Kosovës nga Presidenti Rugova dhe bashkëveprimtarët e tij, e deri tek qeveria e fundit kur u nënshkruar Marrëveshja e Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë. Kosova është e bekuar me miqësinë e saj me popullin amerikan”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Gabriel Escobar, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, e bëri të qartë (edhe një herë) politikën e Administratës Biden për Ballkanin Perëndimor:
– Integrim në BE brenda një kohe të parashikueshme për të gjitha shtetet,
– Ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve,
– Ndalimi i ndërhyrjes së Rusisë dhe Kinës në këtë regjion.
Në mënyrë specifike, ai kërkon:
– vazhdimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke,
– fillimin e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,
– Ruajtjen e sovranitetit dhe demokracisë në Mal të Zi,
– Reforma ligjore dhe ekonomike në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke i kundërshtuar dhe kritikuar ashpër ata që e nxisin dhe mbështesin ndarjen e këtij shteti.
Më e qartë se kaq nuk mund të bëhet. Kjo politikë e Administratës Biden karshi Ballkanit Perëndimor e konfirmon konsistencën e politikës së jashtme amerikane.
Lidhur me politikën karshi regjionit dhe politikën e jashtme në përgjithësi, Kosova duhet të koordinohet plotësisht me administratën amerikane, siç ka bërë në vitet e para të vendosjes së themeleve të shtetit të Kosovës nga Presidenti Rugova dhe bashkëveprimtarët e tij, e deri tek qeveria e fundit kur u nënshkruar Marrëveshja e Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë.
Kosova është e bekuar me miqësinë e saj me popullin amerikan.