Lajme

Hoti-Qeverisë: Mos e rrezikoni mbështetjen e SHBA-ve, do të detyroheni ta dorëzoni mandatin

10/20/2022 14:37
nga:G B

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka publikuar në Facebook ngjarjet që kanë ndodhur kur Kosova është koordinuar me Shtëpinë e Bardhë, raporton Gazeta Blic.

Ai ka përmendur njohjen nga Izraeli, mbështetjen nga MCC për gaz dhe energji, mbështetjen për projekte madhore të hekurudhave dhe autostradave, e të tjera.

Hoti i ka thënë Qeverisë që të mos e rrezikojë këtë mbështetje, pasi do të mbetet e izoluar si regjimi i Enver Hoxhës.

“Do të detyroheni të lironi zyrat dhe të dorëzoni mandatin tek ata që e ruajnë dhe avancojnë miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:

Kur janë koordinuar veprimet tona me Shtëpinë e Bardhë:

ka ndodhur njohja nga Izraeli,
e kemi demarkuar praktikisht një pjesë të kufirit me Serbinë,
e kemi siguruar mbështetjen për projekte madhore të hekurudhave dhe autostradave,
e kemi siguruar mbështetjen nga MCC për gaz dhe energji,
e kemi nënshkruar marrëveshjen për insentiva të investimeve dhe qasje në financa në tregje amerikane,
e kemi nënshkruar marrëveshjen për teknologji 5G të sigurt.
e kemi kornizuar dialogun vetëm për njohje reciproke, pa cenuar integritetin territorial, pa prekur karakterin unitar të shtetit të Kosovës, si dhe duke mos pranuar asgjë pa u nënshkruar marrëveshja për njohje reciproke.

Mos e rrezikoni këtë mbështetje, sepse do të mbeteni të izoluar si regjimi i Enver Hoxhës. Sigurisht se populli i Kosovës nuk do lejojë që izolimi të vazhdojë. Do të detyroheni të lironi zyrat dhe të dorëzoni mandatin tek ata që e ruajnë dhe avancojnë miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.