Lajme

Hoti për mungesën e rrymës: Këta të paaftë dinë të bëjnë veç deklarime të përçudnuara

12/27/2024 13:14
nga:Sh R

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka akuzuar Qeverinë Kurti se në katër vite qeverisje, s’kanë ndërtuar asnjë kapacitet të ri energjetik dhe është anuluar projekti i gazit, i cili tha se sot do të ishte funksional.

Hoti tha se tani kur Kosova përballet me mungesë të energjisë në dimër, “këta të paaftë që dinë të bëjnë vetëm deklarime të përçudnuara”.

“Tani kur përballemi me mungesë të energjisë në dimër, këta të paaftë që dinë të bëjnë vetëm deklarime të përçudnuara se: “nuk ka mungesë të energjisë, por ka mbingarkesë”, “mbingarkesa po vjen për shkak të zhvillimit ekonomik” etj. Ta merr mendja se zhvillimi ekonomik ndodh vetëm në dimër, e jo në verë”.

“Kur pyetet ministrja e ekonomisë për reduktimet me energji, ajo përgjigjet se i ka përcjellur ankesat e qytetarëve në KEDS, sikur të ishte zyrtare për ankesa të qytetarëve e jo ministre përgjegjëse për zhvillimin strategjik të sektorit të energjisë”, tha Hoti.

Më tej, Hoti tha se sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me gaz, sot vendi do të kishte së paku edhe 200 megavat energji për të mbuluar kërkesën e tepërt për energji.