Lajme

Hoti: Pasiguria politike dhe ekonomike po i largon investitorët e huaj dhe vendorë

05/16/2023 18:58
nga:Genita C

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti thotë se pasiguria politike dhe ekonomike po i largon investitorët e huaj dhe vendorë, raporton GazetaBlic.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetet sociale theksoi se, në rënien e investimeve të jashtme në Kosovë po ndikon çështja e dialogut dhe marrëveshja e Ohrit.

“Paqartësia në dialogun me Serbinë, si dhe Marrëveshja e Ohrit që e betonoi status quo-në në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, po ndikojnë në rënien e investimeve të jashtme në Kosovë. Asnjë investim i jashtëm i rëndësishëm nuk është parë në dy vitet e fundit dhe as nuk duket në perspektivë. Një investitorë i huaj që ishte në procedura për të marrë statusin e investitorit strategjik u refuzua nga Qeveria, edhe pse vendimi i Qeverisë ishte dërguar për miratim në Kuvend. Jo vetëm investime të jashtme, por as investime vendore nuk mund të ketë me gjithë këtë paqartësi politike”, shkruan Hoti.

Hoti përmendi edhe disa vendime të Qeverisë që sipas tij janë marrë pa asnjë analizë dhe pa anjë konsultim me komunitetin e bizneseve.

Hoti thotë se këto ligje të miratuara do të dëmtojnë përceptimin pozitiv që ka Kosova sa i përket mbrojtjes së investimeve të jashtme.

Shkrimi i plotë:

Pasiguria politike dhe ekonomike po i largon investitorët e huaj dhe vendorë

1. PAQARTËSIA POLITIKE
Paqartësia në dialogun me Serbinë, si dhe Marrëveshja e Ohrit që e betonoi status quo-në në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, po ndikojnë në rënien e investimeve të jashtme në Kosovë. Asnjë investim i jashtëm i rëndësishëm nuk është parë në dy vitet e fundit dhe as nuk duket në perspektivë. Një investitorë i huaj që ishte në procedura për të marrë statusin e investitorit strategjik u refuzua nga Qeveria, edhe pse vendimi i Qeverisë ishte dërguar për miratim në Kuvend. Jo vetëm investime të jashtme, por as investime vendore nuk mund të ketë me gjithë këtë paqartësi politike.

2. PAQARTËSIA EKONOMIKE

Për më tepër, bizneseve nuk po ju ofrohet siguri as në politikat e brendshme ekonomike.
Pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me komunitetin e bizneseve, Qeveria mori këto vendime:
(a) i ndryshoi normat tatimore të tatimit në pronë, të cilat u bën progresive dhe e rritën deri në trefish ngarkesën e tatimit në pronë për biznese;
(b) vendosi t’i marrë komunave menaxhimin e zonave ekonomike dhe të vendos ato zona nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të një Agjencie të re Qeveritare; dhe
(c) vendosi të shfuqizojë ligjin për investime të jashtme dhe ligjin për investime strategjike.

Të dyja këto ligje i shkriu në kuadër të ligjit të investimeve të qëndrueshme, i cili do ta dëmtoj shumë përceptimin pozitiv që ka Kosova sa i përket mbrojtjes së investimeve të jashtme.