Lajme

Hoti: Mesazhet shqetësuese nga aleatët kryesorë për Kosovën kërkojnë reagim të menjëhershëm

09/25/2024 12:40
nga:G C

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur shqetësimin e tij për mesazhet alarmuese që kanë ardhur nga aleatët kryesorë të Kosovës, veçanërisht nga SHBA-ja, Gjermania dhe Franca. Sipas tij, këto mesazhe duhet të shqetësojnë çdo qytetar dhe përfaqësues politik, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, raporton GazetaBlic.

Hoti theksoi se Kosova rrezikon të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, një mekanizëm i rëndësishëm për përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai shpjegoi se këtë proces e kanë mbështetur qeveritë e kaluara, dhe një përjashtim do të kishte pasoja serioze për dinamikën e integrimit evropian.

Ai gjithashtu paralajmëroi se Kosova mund të përballë vazhdimin e sanksioneve nga Bashkimi Evropian, duke ndikuar negativisht në projekte të rëndësishme energjetike dhe infrastrukturore. “Pasojat do të arrijnë në qindra miliona euro, të cilat do të prekin qytetarët direkt,” tha Hoti.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Hoti është përjashtimi i mundshëm i Kosovës nga CEFTA, që do të rëndonte koston e importeve dhe eksporteve, duke e bërë jetesën më të shtrenjtë për qytetarët dhe duke kufizuar aksesin në tregjet rajonale.

Hoti gjithashtu theksoi se aleatët kryesorë të Kosovës kanë arritur marrëveshje strategjike me Serbinë, duke përfshirë sektorë të rëndësishëm si energjetika dhe mbrojtja. Ai pyeti se si ka ndodhur që në fund të një qeverisjeje katërvjeçare, Kosova ka arritur në këtë situatë, dhe si dialogu për njohje reciproke është shndërruar në një dialog për themelimin e asociacionit.

“Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë. Tani qytetarët do të japin përgjigjen e tyre në procesin demokratik të ardhshëm,” përfundoi Hoti.