Lajme

Hoti: Marrëveshjet i shante LVV , tani i zbaton, këta janë mashtrues

09/29/2022 21:05
nga:Astrit Gashi

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në intervistë për “RTK Prime”, flet për disa tema. Ndër to janë dialogu social, mundësia që qytetarët të tërheqin një sasi të parave nga Trusti Pensional, retorika për luftë e kryeministrit Kurti, politika e opozitës, bisedimet me Serbinë,e çështje të tjera.

Në këtë intervistë, ish kryeministri Hoti foli edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Për qeverinë aktuale, Hoti tha se janë mashtrues.

“Këta janë mashtrues tipik në politikë bërje. Këtë marrëveshjen për energjinë, nëse i shihnin deklaratat e tyre kur është arritur para disa viteve, e kanë luftuar”, rikujtoi Hoti, sipas të cilit: -“Tani kanë bërë një aneks shtesë dhe trumbetojnë se tani marrëveshja është e mirë, e fuqizon shtetësinë e Kosovës”.

Hoti që tani është deputet i LDK-së, deklaron se kështu është edhe për targat e veturave, marrëveshja për të cilën ka qenë 2016-2021.

“Edhe në qeverinë paraprake është nënshkruar udhëzimi administrativ që ndalon lëshimin e targave nga shtatori 2021”, tha Hoti, udhëzim që ishte nënshkruar nga ish ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

“Janë marrëveshje që janë bërë në koordinim me parterët tanë ndërkombëtarë e të cilët këta (Qeveria aktuale v.j) i kanë luftuar e të cilat tani ata po i zbatojnë”, thotë Avdullah Hoti në “RTK Prime”.

I pyetur se përse nuk janë realizuar më parë, Hoti u shpreh se disa janë zbatuar e disa nuk kanë mbërritur të zbatohen plotësisht.

“Por, argumenti im këtu është se këta janë mashtrues tipik. Shahen marrëveshjet sikur janë të dëmshme, e kur vijnë në qeveri, pikë e presje, ato bëhen të përshtatshme”.