Profesori i së drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, vlerëson se marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të ndodhë aq shpejtë, ashtu siç është pritur para takimit Kurti-Vuçiq, shkruan GazetaBlic.
Hoti në një prononcim për GazetaBlic, thekson se marrëveshja finale Kosovë-Serbi, varet nga presioni i ndërkombëtarëve që duhet t’ia bëjnë Serbisë.
“Pritet, por jo shumë afër ashtu siç është pritur para takimit sepse pozicionet e ndryshme tashmë veç dihen nga palët. Marrëveshja finale varet fund e krye nga presioni i ndërkombëtarëve që duhet t’ia bëjnë Republikës së Serbisë”, deklaron ai.
Sa i përket katër propozimëve që Kryeministri Kurti ja bëri palës serbe në takim, Hoti thotë se nuk sheh diçka të re.
“Po sa i përket propozimëve që Kurti i bëri, nuk shoh asgjë të re në ato propozime”, thotë Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogun me Serbinë e shohin si dialog për njohje të ndërsjellë derisa ka thënë se kjo është edhe qasja e presidentit amerikan Joe Biden.
“Këtë e ka thënë edhe presidenti amerikan, Joe Biden, dhe plotësisht pajtohemi me këtë formulim. Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe një Serbi që e njeh Kosovën e njeh edhe Kosova më pas, dhe kështu dy republikat tona krijojnë marrëdhënie të mirë fqinjësore sipas modelit evropian”, ka deklaruar Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk do të ndalë asnjëherë dialogun.
“Nuk do ndalim asnjëherë dialogun, padyshim se ka detyra që duhet të përmbushën nga pala prej Prishtinës. Kjo është pranuar nga dy përfaqësuesit e BE-së. Kishim negociata serioze dhe ne kemi nënshkruar dokumente të cilat duhet të njihen, të implementohen dhe të përmbushën në mënyrën që duhet”, ka deklaruar ai.
LEXO EDHE:
Profesori amerikan: Pavarësia e Kosovës as që diskutohet në dialog