Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se rritja e shpenzimeve për 80 për qind e ka dërguar në 566 milion euro koston e lejuar të shpenzimeve të sektorit të energjisë.
Megjithatë, ai shtoi se krizën energjetike nuk e ka sjellë kjo Qeveri, por mos veprimet e saja e kanë përkeqësuar gjendjen energjetike në vend.
“Çështja e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike është vërtetë shqetësuese. Krizën energjetike nuk është që e ka sjellë kjo Qeveri, por mosveprimet e kësaj Qeverie e kanë përkeqësuar jashtëzakonisht shumë gjendjen. Shqetësuese po ashtu është fakti që pavarësisht që ZRRE është institucion në vete, kryeministri i vendit ka qenë akteri kryesor në mbështetjen dhe nxitjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. U bënë më shumë se një javë që zyra e rregullatorit ende nuk e ka bërë publik vendimin, sepse rritja e shpenzimeve për 80 për qind e ka çuar në 566 milionë euro koston e lejuar të shpenzimeve të sektorit të energjisë. Nuk është e qartë se çka përfshihet brenda gjithë atyre shpenzimeve kur dihet që ka edhe një subvencionim shumë gjeneroz nga ana e Qeverisë”, tha Hoti raporton Ekonomia Online.


