Lajme

Hoti kritikon Qeverinë për mos-transparencë: E papranueshme, askush nuk ka parë dokument të nënshkruar

02/08/2023 20:00
nga:G C

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë transparence sa i përket dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se qeveria e ka obligim kushtetues të raportoj në Kuvend për zhvillimet e deritanishme.

Sipas Hotit, deri tani janë arritur disa marrëveshje, nga të cilat nuk është parë ndonjë dokument.

“Është e papranueshme mungesa e transparencës lidhur me dialogun. Qeveria, si bartëse e procesit, e ka obligim kushtetues të raportoj në Kuvend për zhvillimet e deritashme. Janë arritur disa marrëveshje teknike, si për energjinë, për targat e për dokumentet e udhëtimit, por askush nuk ka parë dokument të nënshkruar”, ka shkruar ai në Facebook.

Gjithashtu, Hoti ka thënë se qeveria e ka pranuar edhe propozimin franko-gjerman, dhe Kuvendi nuk është informuar fare.

“Është pranuar nga Qeveria propozimi franko-gjerman dhe janë dërguar komente. Por nuk është informuar Kuvendi dhe publiku se: (1) cila është përmbajtja e plotë e atij propozimi, (2) çfarë komentesh ka dërguar Qeveria, (3) cili ka qenë reagimi i ndërmjetësve lidhur me komentet e dërguara dhe (4) sa janë reflektuar ato në draftin që është pranuar së fundmi ga Qeveria. Përveç Kuvendit, është e domosdoshme të informohet edhe publiku përmes një fushate informuese dhe tryezave diskutimi me shoqërinë civile dhe komunitetin akademik. Transparenca ndihmon në ndërtimin e konsensusit shoqëror dhe politik për marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, e cila duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e të gjithë deputetëve”, ka shkruar ai në fund.