Lajme

Hoti ironizon: Kosova s’ka nevojë për Guvernator e Kryeprokuror- E kemi Kurtin dhe Osmanin që japin urdhëra për ushtruesit e detyrës

05/17/2023 19:52
nga:Genita C

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hotit thotë se zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Qendore të Kosovës bllokohet, por jo edhe konkurset për zgjedhje të stafit, raporton GazetaBlic.

Për këtë ai fajëson kreun e BQK-së ku sipas Hotit, ai ka pushtet të plotë mbi institucionin më të rëndësishëm financiar në vend.

“Zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Qendore të Kosovës bllokohet, por jo edhe konkurset për zgjedhje të stafit. Ai që e kurdisi procesin për të ardhur vet në krye të BQK-së, edhe pse përkohësisht, tani ka shpallur konkurset. Sigurisht se kjo bëhet ne lejen e shefit të tij. Ai tani ka “pushtet” të plotë mbi

BQK-në, institucionin më të rëndësishëm financiar në vend dhe pa pasur kush ta mbikëqyr punën e këtij institucioni”, shkruan Hoti.

“Ndoshta Kosova nuk ka nevojë të ketë Guvernator, as Kryeprokuror, as Bord të Trustit, as Drejtor të Thesarit, as Kryeshef të Agjencisë së Statistikave, as Drejtor të ATK-së. Mjafton që e ka kryeministrin dhe presidenten që japin urdhëra si të veprojnë ushtruesit e detyrës të këtyre institucioneve vitale shtetërore”, shkruan tutje Hoti.