Lajme

Hoti e quan propagandë të ulët fajësimin e qeverisë së tij për mosftesën nga SHBA

11/06/2021 21:23
nga:M K

Është kryeministri i vetëm kosovar që hyri në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Andaj Avdullah Hoti konsideron se u angazhua fort që ta kthejë besimin amerikan kah Kosova.

Për këtë arsye e quan propagandë të ulët arsyen e kabinetit të kryeministrit aktual, Albin Kurti, se ish-qeveria Hoti është një nga arsyet që nuk erdhi ftesa për pjesëmarrje në Samitin e Demokracisë të cilin e organizon presidenti Joe Biden.

Në një prononcim për Klan Kosova, Hoti thotë se shpreson që raportet me SHBA-të të mos thyhen sikur në qeverinë Kurti 1.

“Mungesa e ftesës për Kosovën besoj se reflekton nivelin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA. Pres që të mos përsëritet situata e njëjtë sikur në muajt e parë të vitit 2020, kur Shtëpia e Bardhë quhej shtëpi e verdhë. Në qeverinë e atëhershme, ishte hera e parë në 30 vite të miqësisë Kosovë-SHBA që u ndërpre komunikimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shtëpisë së Bardhë”, deklaron Hoti.

Në këtë rrafsh, ish-kryeministri thotë se veprimet e ekzekutivit vetëm se po çojnë në degradim të situatës, gjë që e cilëson të patolerueshme.

“Qasja karshi dialogut ka degraduar nga takimet e nivelit të lartë në Bruksel e Uashington për marrëveshjen finale për njohje reciproke në çështje teknike për heqje të barrikadave. Projekti i MCC-së për rrjetin e gazit po “rishqyrtohet” pas shumë vitesh studime dhe dollarë të harxhuar të mjeteve të MCC-së. Projektet e mëdha infrastrukturore të paraparë në Marrëveshjen e Washingtonit janë lënë anash”, shton ish-kreu i qeverisë.

E kumbara i ujdisë së 4 shtatorit mes Kosovës e Serbisë, Richard Grenell, po e fajëson të parin e Amerikës për përbuzje të këtyre dy shteteve. Ai shkroi në Twitter se Biden po e rikthen lojën politike në rajon, ndryshe nga Donald Trump që nxiste zhvillim ekonomik.

Nga Ballkani Perëndimor, veç Kosovës, ftesë për në Samitin e Demokracisë nuk kanë marrë as Serbia e Bosnja e Hercegovina.

Përgjigja e plotë e Avdullah Hotit:

Mungesa e ftesës për Kosovën besoj se reflekton nivelin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA. Pres që të mos përsëritet situata e njëjtë sikur në muajt e parë të vitit 2020, kur Shtëpia e Bardhë quhej shtëpi e verdhë. Në qeverinë e atëhershme, ishte hera e parë në 30 vite të miqësisë Kosovë-SHBA që u ndërpre komunikimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shtëpisë së Bardhë.

Kur unë e kam marrë detyrën në fillim të qershorit 2020, na është dashur angazhim i madh për të kthyer besimin e Shtëpisë së Bardhë. Tri javë pas marrjes së detyrës si kryeministër, unë kam pranuar ftesë për vizitë në Shtëpinë e Bardhë.

Është e patolerueshme nëse situata degradon prapë. Fatkeqësisht, të gjitha veprimet e kësaj qeverie çojnë në atë drejtim. Qasja karshi dialogut ka degraduar nga takimet e nivelit të lartë në Bruksel e Ëashington për marrëveshjen finale për njohje reciproke në çështje teknike për heqje të barrikadave. Projekti i MCC-së për rrjetin e gazit po “rishqyrtohet” pas shumë vitesh studime dhe dollarë të harxhuar të mjeteve të MCC-së. Projektet e mëdha infrastrukturore të paraparë në Marrëveshjen e Washingtonit janë lënë anash.

Deklarimet për të hedhur fajin diku tjetër për mungesën e ftesës janë propagandë e ulët.