Lajme

Hoti: Ai që e kundërshton marrëveshjen e Washingtonit, promovon interesa ruse dhe kineze

07/03/2021 21:54
nga:M K

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar raportin e studimit të fizibilitetit të realizuar nga ekspertët amerikanë lidhur me përdorimin e liqenit të Ujmanit nga Kosova e Serbia.

Hoti, në ‘Indoks’, thotë se kushdo që e refuzon marrëveshjen e nënshkruar në SHBA, promovon interesa ruse e kineze. E një refuzim të tillë po vërehet nga Qeveria Kurti, më konkretisht nga kryeministri, Albin Kurti. Kjo qeveri po e përbuzë marrëveshjen e nënshkruar nga Hoti.

“Po e them qartë dhe drejtpërdrejt ai që e kundërshton marrëveshjen e Uashingtonit, me vetëdije ose pavetëdije promovon interesa ruse dhe kineze në Kosovë dhe në regjion. Ai që e refuzon, e kundërshton këtë marrëveshje promovon këto interesa në regjion a e bën me vetëdije apo jo unë nuk e di atë, por kjo është e vërteta”, ka thënë Hoti.

Ish-kryeministri është shprehur se kritikat në të kaluarën për këtë marrëveshje ishin të pabaza, bëheshin për kauza lokale e axhenda të caktuara.

“Po kjo është pika në marrëveshjen që është nënshkru në vitin e kaluar në shtator në Shtëpinë e Bardhë, e cila atëherë është kritiku pa asnjë bazë, pa asnjë argument valid thjeshtë për shkaqe të kauzave lokale, politike agjendave të caktuara politike në vend me tendencën për të kriju perceptime të caktuara”, deklaroi ai.