Lajme

Homazhet në Prekaz, Çitaku: Kosova e pavarur është kryevepra e Adem Jasharit

11/28/2026 10:20
nga:L J

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë homazhe në Prekaz me rastin e shënimit të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

Nga Prekazi, Çitaku tha se ky vend, së bashku me figurën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përbën themelet e lirisë së vendit.

“Sa herë që kemi nevojë për energji, për frymëzim, rrugët na sjellin në Prekaz. Prekazi, Adem Jashari, UÇK-ja janë në themelet e lirisë sonë”, u shpreh ajo.

Çitaku theksoi se Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane është vepër e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane është kryevepra e komandantit legjendar Adem Jashari. Lufta për liri përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes”, tha ajo.

Ajo foli edhe për luftën çlirimtare, duke thënë se ajo përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes dhe se lufta për liri nuk mund të konsiderohet krim.

“Lufta për liri nuk është krim. Shteti i pavarur i Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”, deklaroi Çitaku.

Në fund, ajo u bëri thirrje shqiptarëve që të jenë të bashkuar në mbrojtje të vlerave që, sipas saj, janë krijuar ndër breza.