Lajme

Homazhe në Kuvendin e Shqipërisë për Gerti Bogdanin

09/18/2024 16:25
nga:Y I

Gerti Bogdani u nda nga jeta papritur mesditën e kësaj të mërkure.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike pësoi arrest kardiak ndërsa ishte në ambientet e një lokali në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.

Të shumtë ishin politikanët që kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për largimin e tij të papritur nga jeta. Kolegët e tij opozitarë janë shprehur të tronditur nga ikja e parakohshme.

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se nesër, ditën e enjte, ora 10:00-12:00, në sallën e seancave plenare do të organizojë zhvillimin e homazheve në nderim të ish-deputetit Gerti Bogdani.

Gerti Bogdani ishte themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në botë.

Karrierën politike ai e nisi në vitin 2007, ku kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 në Tiranë, garë të cilën e fiton. Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD.

Në vitin 2009, Gerti Bogdani kandidon në zgjedhjet parlamentare dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë, kur ishte vetëm 29-vjeç.

Në vitet 2010 ai ka qenë një nga të rinjtë më premtues në Partinë Demokratike, duke patur një aktivitet të vrullshëm politik dhe si drejtues i FRPD-së.

Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave.

Në 2022 garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 2023.

Gert Bogdani ishte i martuar me aktivisten e njohur Edlira Çepani dhe është babai i dy fëmijëve.