Sporti

Holanda vuan, por fiton me përmbysje ndaj Polonisë dhe merr kreun e Grupit D

06/16/2024 16:56
nga:Mergim Rreci

Holanda e nis me fitore Europianin, me “tulipanët” që triumfuan 1-2 ndaj Polonisë, në ndeshjen e vlefshme për Grupi D që u zhvillua në Hamburg.

Një sfidë që nisi mirë për Holandën, duke diktuar ritmin, por polakët u treguan cinikë dhe kaluan në avantazh në minutën e 16-të me anë të sulmuesit Buksa, që shfrytëzoi centimetrat dhe cilësitë e tij pas një goditje nga këndi.

Një gol që vendosi në lëvizje mekanizmat e skuadrës së Koeman, me Holandën që provoi të gjente golin e barazimit dhe Gakpo, i cili i ndikuar edhe nga fati gjeti barazimin në minutën e 29-të. Sulmuesi i Liverpool-it ishte në lartësinë e duhur duke bërë diferencën te ekipi tij, ndërsa edhe në pjesën e dytë çdo aksion kalonte nga këmbët e tij.

Fraksioni i dytë ishte përsëri me ritmin e 45 minutave të para, me Holandën kërkuese e me një Poloni cinike, teksa në minutën e 83-të, i sapo aktivizuar, Weghorst realizoi golin e përmbysjes dhe të suksesit për Holandën.

31-vjeçari erdhi në vendin e Depay dhe i mjaftuan vetëm dy minuta, duke çuar në delir holandezët, teksa Polonia kërcënoi në minutat e fundit, por goli rezultoi mision i pamundur.

Holanda merr kreun e Grupit D, teksa takimi tjetër, Austri-Francë do të luhet këtë të hënë.