Sporti

Hodaj: Nuk kemi frikë nga Ferizaj, është koha e duhur që Liria të rikthehet në Superligë

06/02/2023 10:35
nga:Mergim Rreci

Portieri i skuadrës së Lirisë, Drilon Hodaj është deklaruar para ndeshjes më të rëndësishme të sezonit ndaj Ferizajt.

Hodaj ishte i mrekullueshëm në portën e skuadrës prizrenase, duke qenë një nga pikat më të forta të klubit në qëllimin e madh drejt rikthimit në Superligën e Kosovës.

Para ndeshjes së barazhit, Hodaj tha për ‘GazetaBlic Sport’ se janë përgatitur maksimalisht për këtë takim dhe se atmosfera është shumë e mirë në skuadër.

E kemi pasur relativisht një edicion të mirë, në veçanti në sezonin pranveror. Skuadra është përgatitur maksimalisht për ndeshjen ndaj Ferizajt, atmosfera është shumë e mirë dhe presim vetëm fitore“, tha fillimisht ai.

Ne nuk i frikësohemi skuadrës së Ferizajt, ne kemi më shumë informata për kundërshtarin, sepse çdo ndeshje e tyre është transmetuar në televizion. ‘Apragjikët’, gjithashtu do të jenë një motiv i madh për skuadrën tonë në këtë takim dhe do të jenë lojtari ynë i 12-të“, vazhdoi ai.

Hodaj tha më pas se është koha e duhur që Liria të kthehet në Superligën e Kosovës, bazuar edhe tek tradita dhe gjithçka tjetër që kjo skuadër ka në futbollin kosovar.

Mendoj se është koha e duhur që të rikthehemi në Superligën e Kosovës. Kemi zhvilluar katër vite rresht në Ligën e Parë, ne jemi një klub me traditë dhe e meritojmë që të jemi në nivelin elitar. Superliga e Kosovë ka nevojë për ne, ashtu siç ka Liria nevojë për Superligë“, përfundoi Hodaj.

/GazetaBlic Sport/