Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar sot listën e kandidatëve për deputetët, raporton GazetaBlic.
Kandidati për deputet, Ekrem Hyseni, thotë se angazhimi i tij në politikë do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të mirës së përgjithshme.
Hyseni thotë se ndihet krenar që dega e LDK-së në Podujevë, për herë të parë ka në garë shtatë kandidatë në listë, ku shprehet i bindur se kjo është lista e fitorës dhe e ndryshimit që Podujeva dhe Kosova ka nevojë.
Ndër të tjera Hyseni thotë se çdo votë është përgjegjësi e madhe që do ta bart me nder dhe përkushtim të plotë.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Sot, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës votoi unanimisht kandidatët për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit. Kam nderin dhe përgjegjësinë që të jem pjesë e kësaj liste fituese, e cila përfaqëson shpresën dhe ndryshimin.
Falënderoj secilin prej jush për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm që më keni dhënë. Angazhimi im, në cilëndo pozitë që ma besoni, do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të së mirës së përgjithshme.
Gjatë gjithë karrierës sime politike dhe publike, kam punuar me përkushtim për të kthyer besimin tuaj në rezultate konkrete.
Asnjëherë nuk kam kursyer asgjë për të mirën e qytetarëve, sikurse nuk do ta kursej as tani për t’u angazhuar në nivelin më të lartë të përfaqësimit.
Jam krenar që dega e LDK-së në Podujevë, për herë të parë, ka në garë shtatë kandidatë në listë. Jam i bindur që kjo është lista e fitores dhe e ndryshimit që Podujeva dhe Kosova ka nevojë.
Me program të qartë, të ndërtuar mbi bazën e kërkesave dhe nevojave tuaja, dhe me një ekip të përkushtuar, do të punojmë për t’ia kthyer Kosovës shpresën dhe drejtimin e duhur.
Të dashur qytetarë të Podujevës dhe të Kosovës,
Jam thellësisht i përkushtuar që përmes këtij angazhimi, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, të sjellim ndryshimin që vendi ynë e meriton.
Besoj fuqishëm se bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Podujevën dhe Kosovën.
Do të angazhohem që zëri i secilit prej jush të dëgjohet dhe që problemet e përditshme të marrin zgjidhje konkrete.
Për mua, çdo votë është përgjegjësi e madhe që do ta bart me nder dhe përkushtim të plotë.
Më 9 shkurt, ju ftoj të bashkoheni me ne për të sjellë këtë ndryshim.
Të votojmë për një qeveri që u shërben qytetarëve të saj, me kryeministër Lumir Abdixhikun, i cili përfaqëson vizionin dhe guximin për të çuar vendin përpara.
#behundryshimi