Gazetari Arben Ratkoceri, botues i Gazetës Koha në Maqedoni, ka folur edhe mbi atë se pse votuan deputetët maqedonas pro Talat Xhaferit si kryeministër.
“Jo, thjesht për të qenë korrekt me marrëveshje politike me njëri-tjetrin, hesapet dhe llogaritë e tyre që ta kenë z.Ahmeti partner dhe pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare sepse tani aktualisht pas sondazheve duket se padyshim do të fitojë partia VRMNO-DPMNE dhe realisht social demokratët që e votuan z. Xhaferi për kryeministër, shpresën e vetme për të vazhduar qeverisjen e kanë te z.Ahmeti”, shprehet ai.
Ai flet edhe për atë se a mundet partia e dytë ta bëjë Qeverinë në Maqedoni.
“Po mundet. E rëndësishme në Maqedoni është një procedurë, i jepet të parit, nëse i pari nuk arrin, atëherë detyrohet presidenti mandatin t’ia japë atij që bën 61 deputetë dhe nuk ka kurrfarë pengese ligjore”, thekson Ratkoceri për Blic Interview.
Për këtë përmend dhe një rast.
“Po, ka pasur në zgjedhjet e kaluara partia që ishte VRMNO-DPMNE e para mirëpo qeverinë e formuan social demokratët me BDI-në”.
Gazetari thotë se problemi i Maqedonisë është më i komplikuar se Kosova dhe tani thotë se komplikohet më shumë kur shqiptarët janë faktor i rëndësishëm.
“Problemi i Maqedonisë si territor, si tokë dhe si çështje e numrit të popullsisë është shumë më e komplikuar se Kosova, nuk duhet harruar gjithmonë duhet ta kemi ndërmend, dy luftëra ballkanike janë bërë për Maqedoninë, për Kosovën nuk kanë bërë luftëra, Kosova çdoherë ka pasur konflikt me Serbinë, një konflikt të hapur apo të mbyllur shqiptaro-serbë, ndërsa për Maqedoninë është i vetmi territor për të cilin janë bërë dy luftëra ballanike dhe në kohën kur shqiptarët nuk kanë qenë faktor. Tash Maqedonia komplikohet më shumë kur shqiptarët janë faktorët më të mëdhenj, krahas Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, që kanë luftuar për atë tokë e ke dhe faktorin shqiptar shumë të fortë, kur rri me ju dhe kolegë, pyetjen dhe dilemën më të madhe sidomos në Prishtinë dhe Tiranë nuk e kanë të qartë të përgjigjen se çfarë Maqedonie duan, çfarë Maqedonie na intereson”, vlerëson ai.
Ratkoceri thotë se e do një Maqedoni sa më larg Sofies dhe Beogradit, teksa përmend se vizita e presidentit Pendarovski në Kosovë dhe kërkesa për mbështetje si president në zgjedhjet e ardhshme në Prishtinë, ishte më e rëndësishme se zgjedhja e Talat Xhaferit kryeministër.
“Unë do të kisha dashur dhe jam idhtar i një Maqedonie të pavarur siç është aktuale, me një distancë sa më të madhe nga Sofia dhe Beogradi. Kjo nënkupton që ndikimi më i madh që është në rastin dhe siç është aktualisht do të jetë i Prishtinës zyrtare. Është e mundshme sepse e ka faktorin shqiptar brenda, kjo nuk është e mundshme aktualisht për shkak si duket politikave jo të qarta të Prishtinës në raport me Maqedoninë. Si shembull, duke iu përfshirë dhe juve mediave, unë iu kisha dhënë, para dy javëve ishe këtu presidenti i Maqedonisë Stevo Pendarovski dhe më besoni, nëse e merrni në kontestin rajonal dhe në kontestin historik të Maqedonisë, për mua ishte më e rëndësishme ndoshta se zgjedhja e Talat Xhaferit. Ne futemi në zgjedhje presidenciale atje dhe vizita e Pendarovskit në Prishtinë ishte dhe kërkonte mbështetje zyrtare për të rikandiduar dhe për të fituar, i cili do të ketë një kandidat nacionalist maqedonas do kisha thënë dhe anti-shqiptar”, shton ai.
Rëndësinë e kësaj ai e lidh me faktin se deri para pak vitesh, presidentin maqedonas e ka vendosur Beogradi dhe është hera e parë që kërkohet mbështetje në Prishtinë.
”Pse është e rëndësishme, deri më tani ose deri para shumë pak vitesh, në Maqedoni presidentin ta ka vendosur Beogradi përmes mekanizmave të ndryshëm, pra pa miratimin e Beogradit, nuk është mundur të zgjedhet një president, d.m.th, është hera e parë që kjo kërkohet nga Prishtina për shkak të faktorit të përçarë politik shqiptar në Maqedoni”, potencon gazetari.
Ndërsa, lidhur me përgjigjen e Prishtinës për Pendarovskin, ai beson se duhet ta ketë miratuar, teksa shton se vullneti i shqiptarëve është që të përkrahet ai që të mos fitojë kandidati tjetër që është anti shqiptar.
“Nuk kemi përgjigje dhe unë besoj që Prishtina duhet ta ketë miratuar, do ta kuptojmë se si do të sillet me partitë që po e kundërshtojnë z.Pendarovski për shkak të disa interesave shumë të vogla atje lokale. Dhe kur e shohim z.Kurti me kë takohet këtu, të cilët kundërshtojnë z.Pendarovski, atje neve na shqetëson pak. Një shembull për Pendarovskin kush është. Për herë të parë pozicioni më i lartë në Maqedoni, në Presidencë është këshilltari për siguri dhe politikë. Këtë e ka ndër kuadrot apo djemtë më të mirë që kemi në Maqedoni dhe që ka punuar në NATO, z.Blerim Kolalli, përmes të cilit është arritur për herë të parë në njësitë më elitare të ushtrisë së Maqedonisë të ketë shqiptarë, ndërsa në polici akoma nuk kemi një shqiptar në elitën e policisë. Vullneti i shumë shqiptarëve është që të përkrahet z.Pendarovski, thjesht që të mos fitojë kandidati tjetër që është anti shqiptar”, deklaron Arben Ratkoceri.
Por, ai potencon se shqiptarët nuk kanë guxim të thonë se nuk e mbështesin dhe nxjerrin kandidatë për presidentë.
“A e di si bëhet loja, se publikisht nuk kanë guxim të thonë që nuk e mbështesin Pendarovskin, por nxjerrin kandidatë. Nxjerrja e kandidatëve shqiptarë nga opozita, atëherë do të jetë e detyruar edhe BDI të nxjerr kandidat dhe mos ta përkrahë z.Pendarovski që është në rreth të parë dhe kjo përçarje atëherë ka rrezik të fitojë kandidati tjetër. Pra, hileja është këtu. Është e pamundur që të fitojë shqiptari por thjeshtë për të thënë se nuk e përkrahin z.Pendarovski, atëherë nxjerrin kandidatë”, potencon gazetari./Gazeta Blic/


