Sporti

Historike, “FC Liria“ skuadra e parë kosovare në Bundësligën gjermane

05/16/2023 10:54
nga:G B

Skuadra e mërgatës kosovare, “FC Liria Berlin“ ka shkruar një faqe të re në librin e futbollit gjerman. FC Liria e Berlinit arriti të jetë rezultati më i madh i shënuar ndonjëherë nga klubet sportive të diasporës shqiptare.

Ky sukses i jashtëzakonshëm në rangun e futbollit gjerman erdhi si rezultat i ndeshjes së zhvilluar të dielën pasdite në sallën sportive Schöneberg, ku skuadra e mërgatës kosovare FC Liria Berlin arriti ta mposhtë skuadrën kundërshtare Sparta Futsal, duke shënuar një fitore bindëse 6:1.

Fitorja e së dielës e kualifikojë skuadrën kosovare në elitën e futsallit gjerman dhe kësisoj FC Liria Berlin në sezonin 2023/2024 do të garojë në Bundësligën gjermane.

I gjithë ky sukses i jashtazakonshëm i skuadrës kosovare vjen si rezultat i punës dhe angazhimit të palodhur të futbollistëve tanë dhe anëtarëve të kryesisë, Sadri Zemaj, Sadik Murseli dhe Bejtullah Makiqi.

Klubi futbollistik FC Liria është themeluar në vitin 1985 nga shqiptaret e Kosovës që jetojnë në Berlin dhe sot është ndër anëtarët më të vjetër dhe aktivë të Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani.