Lajme

Historiani Imeri: Edhe BIK-u mund ta lypë pronën e Kuvendit të Kosovës

05/17/2023 21:01
nga:Genita C

Historiani Shkodran Imeri ka deklaruar të martën se kreu i Manastirit të Deçanit në vazhdimësi ka pasur qëndrime jo dashamirëse ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës.

Prandaj, ai thotë që Kosova duhet të rezistojë që mos ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth pronave në Manastirin e Deçanit.

“Unë konsideroj që Kurti e ka të drejtë me u deklaruar në këtë pikë. E konsideroj që Kosova duhet me rezistu në zbatimin e këtij vendimi. I përmenda arsyet pse”, tha ai në Klan Kosova.

Sipas tij me këtë logjikë, edhe Bashkësia Islame e Kosovës mund të kërkojë pronën e Kuvendit të Kosovës, transmeton Paparaci.

“Nuk është problem fetar, nëse shkojmë me këtë logjikë, nëse fillojmë me i joshë bashkësitë fetare, konsideroj që ta kemi një problem edhe me BIK-un, e cila do ta lypë pronën e Kuvendit të Kosovës, e cila është marrë pas përfundimit të luftës së dytë Botërore”, tha ai.

Ai shtoi se Kosova duhet t’i krijojë të gjitha mundësitë që ta bindë faktorin ndërkombëtar se ky vendim është i gabueshëm.

“Konsideroj që edhe opinioni edhe politika te ne, në raport me këtë vendim ka reflektuar. Po të kishte disponim për zbatim, do të zbatohej që shtatë vite”, ka thënë Imeri.