Showtime

Historia e Efit, vajza që u bë e njohur nga Përputhen dhe ngriti një publik pas daljes nga Big Brother

02/05/2023 19:40
nga:G C

Askush nuk e priste që një vajzë nga “Përputhen” do të arrinte famën që ka sot Efi. Me nisjen e “Big Brother VIP” në dhjetor të gjithë sytë ishin tek artistët dhe personazhet tashmë të njohur prej vitesh.

Por shumë shpejt vajzat e “Përputhen”, ku këtu përmendim edhe Tean e Mikelën, ishin në vëmendjen e të gjithëve me situatat e krijuara, qoftë ato të pëlqyera nga publiku apo jo.

Megjithatë nga të treja vajzat, ajo që spikati ishte Efi. Fakti që Efi ishte e drejtpërdrejtë, luftarake dhe nuk bënte kompromise, e bëri një personazh të dashur për publikun.

Eliminimi i saj mbrëmjen e të shtunës nga “Big Brother VIP” ngjalli reagime të forta. Madje publiku për t’i shprehur simpatinë e çoi Instagramin e Efit brenda pak orësh në 380 mijë ndjekës, një shifër kjo shumë e lartë mes personazheve të tjerë që ndodhen në shtëpi.

Por kush është Efi dhe çfarë dimë për të?

Efi Dhedhes u bë e njohur për publikun nga emisioni i dashurisë “Përputhen”. Ajo ra menjëherë në sy për ngjashmërinë me Bora Zemanin dhe Elvana Gjatën, duke u bërë pjesë e portaleve ende pa shkaktuar ndonjë sherr apo lidhje dashurie. Efi e nisi rrugëtimin e saj në “Përputhen” në tetor 2021. Gjatë qëndrimit në emision, ajo shpeshherë pati debate e zënka si me konkurrentët, edhe me opinionistin Arjan Konomi, karakter të cilin e shfaqi edhe gjatë Big Brother.

Emri gjatë i Efit është Ifigjenia, emër grek dhe është e pagëzuar. Ajo ka treguar se emrin ia ka vendosur ajo që e ka pagëzuar dhe Ifigjenia ka qenë një perëndeshë greke. Gjatë rrëfimit të saj në “Përputhen”, Efi ka treguar se nuk i pëlqen emri i saj gjatë prandaj e thërrasin shkurt Efi.

Efi mbush 27 vjeç në mars të këtij viti. Ajo është me profesion tatuatore dhe artiste makeup-i.

Pas emisionit “Përputhen”, në verën e 2022, Efi u bë pjesë e “Kepit të tundimeve”, ku dhe aty ishte një nga konkurrentet më të pëlqyera.

Gjatë “Kepit të tundimeve” dhe gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP”, Efi ka rrëfyer se jeta e saj nuk ka qenë aspak e lehtë për shkak të një historie dashurie që ka përjetuar.

Rrëfimi i Efit: Unë u dashurova me dike në moshë të vogël, aq shumë sa në 2016 shkova në Zvicër, u bëra prona e tij nuk dilja më nga shtëpia, dilja vetëm 1 orë e 30 minuta. Më bënte mos ta doja veten, derisa arrita mos ta shihja veten ne pasqyrë. Derisa arrita që kur ai gabonte të kërkoja falje. Familja ime e vuante shumë. Në heshtje kam tentuar vetëvrasjen. Më këshillonin por nuk dinin më shumë se aq. Dhe pasojat e kësaj gjëje më janë larguar shumë vonë, vura atë para nënës time, se ai më ndalonte të dilja me nënën time, kërkoj shumë falje, për të gjitha këto. Jam pishman për vitet që i humba vetes time.

Për fat të mirë, Efi tashmë e ka hedhur pas krahëve këtë histori. Gjatë një bisede në Big Brother, ajo ka treguar se aktualisht është në një lidhje me një djalë, i cili punon ekonomist dhe është person shumë i qetë. Efi nuk ka dashur të japë më shumë detaje për këtë histori, por u shpreh e lumtur që është në krahët e këtij personi.

Pas eksperiencës së saj në Big Brother, mbetet të shihet cila do jetë aventura e rradhës për Efin në ekran./xing.al