Lajme

Hill për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit: Tash për tash nuk ka bazë të drejtohet gishti te dikush

12/16/2024 11:33
nga:G C

Për shpërthimin me eksploziv në një zonë të kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok për të cilin qeveria kosovare beson se “është orkestruar nga Serbia”, ambasadori amerikan në Beograd, Chris Hill, ka thënë se, tash për tash, ShBA-të “nuk shohin bazë për të drejtuar gishtin te dikush”.

Christopher Hill në lidhje me sulmin në infrastrukturën jetike – që edhe nga Bashkimi Evropian është dezignuar si terrorist – tha se “është e rëndësishme që të ndodh hetim kredibil” derisa u thirr në, siç tha ai, gatishmërinë (deklarative) të shtetit serb “për të mbështetur hetim serioz”.

“(Hetim) me pjesëmarrjen e faktorëve ndërkombëtare, amerikanët janë të gatshëm për këtë, mendoj se do të ketë përpjekje që të jetë edhe BE-ja dhe shpresoj që të arrijmë një lloj reztultati. (Shpërthimi) mund të kishte sjellë probleme të mëdha, por fatmirësisht ata ia dolën të rregullojnë gjërat brenda orës, ndërsa brenda disa ditësh gjithçka u normalizua…mirëpo kjo nuk do të thotë se ne s’duhet të përcaktojmë si ndodhi dhe kush është përgjegjës”, ka thënë Hill.

Duke folur për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, u shpreh “i zhgënjyer” rreth moszbatimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, për të cilin tha se “do të zbatohet me kohë”.

“Kjo ka qenë dashur të themelohet para 12 viteve, dhe s’është bërë ende. Ka shumë punë për t’u bërë”, ka thënë ai duke shtuar se ShBA “e mbështet atë”.

“Mendoj se në fund logjika do të mbizotërojë, dhe logjika do të thotë që ky Asociacion të formohet. Jam i zhgënjyer si të gjithë të tjerët se pse nuk është bërë akoma, por nuk shoh arsye pse s’do të bëet në të ardhmen”, shtoi ai në një intervistë për “Euronews Serbia”.

Duke folur për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, Hill foli për pjesëmarrjen e serbëve në ato zgjedhje – duke shtuar se “ShBA kurrë s’ka mbështetur bojkotin e zgjedhjeve”.

“Mendoj se është tejet e rëndësishme që komuniteti serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhje dhe gëzohem që po. Se si do të marrin pjesë, çfarë formacionesh politike ka në Kosovë tash, kjo u mbetet atyre dhe ne duam që të gjithë të marrin pjesë. ShBA kurrë s’ka mbështetur bojkot të zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Rreth dialogut të fascilituar nga BE, ambasadori Hill tha se ShBA e mbështet plotësisht.

“Mendoj se duhet të ketë një mekanizëm më të fortë për ta bërë dialogun më të suksesshëm. Mendoj se është e rëndësishme dhe s’ka alternativë tjetër përpos dialogut. Mendoj se duhet të kemi një përpjekje nëse ndërmjetësit mund t’i fuqizohet pushteti. Shumë mendim duhet t’i jepet kësaj”, tha ai.

“Festat e fundvitit po vijnë, ndër të tjera, në Amerikë po vjen administrata e re, administrata e re në Komisionin Evropian, po afrohen edhe zgjedhjet në Kosovë në shkurt. Ekziston një nevojë e madhe për t’i parë mirë të gjitha këto çështje. Në kontekstin e të gjitha problemeve ndërkombëtare dhe në kuadrin e problemeve që ekzistojnë, kjo çështje duhet të jetë e zgjidhshme. Ne duhet të përpiqemi më shumë”, tha Hill.