Lajme

Hill: Është e rëndësishme që Asociacioni të formohet, formimi i tij mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare

03/08/2023 15:08
nga:Astrit Gashi

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill beson se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës po shkon në drejtimin e duhur, por se është shumë herët për të vlerësuar rezultatin e takimit të fundit mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Bruksel, duke theksuar se tani, pas dhjetë është e rëndësishme që të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, përcjellë GazetaBlic.

Ai theksoi se kur është fjala për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, asnjëra palë ende nuk ka rënë dakord për asgjë dhe se duhet të presim raundin e ardhshëm të bisedimeve për të vlerësuar se deri ku ka arritur dialogu.

“Mendoj se po ecim në drejtimin e duhur, por duhet të presim dhe të shohim sepse ende askush nuk ka rënë dakord për asgjë, nuk do të doja të flisja për gjëra specifike dhe afate, mendoj se është e rëndësishme që çështjet të zgjidhen, që pas 10 vitesh më në fund të themelohet Asociacioni dhe se shumë e shohin këtë si një provë nëse bashkësia ndërkombëtare është seriozisht e interesuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mund të them se është e interesuar. Neve na duhet vetëm durim”, theksoi ai.

I pyetur se çfarë e ngadalëson më shumë përparimin e Serbisë drejt BE-së – mos vendosja e sanksioneve kundër Moskës, progresi i pamjaftueshëm në dialogun me Prishtinën, gjendja e demokracisë apo problemet brenda vetë BE-së, ambasadori Hill tha se përgjigja më e sinqertë do të ishte “të gjitha këto gjëra bashkë”.

Ai beson se ndikimi i Moskës në Beograd është negativ dhe se rezultatet e Rusisë në Serbi janë të këqija dhe se qytetarët duhet ta shohin vetë këtë.

“Mendimi im është se Rusia nuk po e ndihmon Serbinë në asnjë mënyrë. Ata nuk bënë asgjë për të zgjidhur çështjen e Kosovës, nuk bënë pothuajse asgjë për të ndihmuar ekonomikisht, madje edhe për mbështetjen e tyre energjetike, Serbia duhet të paguajë,” theksoi Hill, përcjellë GazetaBlic.