Sporti

E bujshme, Norvegjia reagon ashpër: Katari nuk e meriton pritjen e Kupës së Botës!

03/31/2022 17:26
nga:Mergim Rreci

Vendimi  i FIFA-s për mbajtjen e Kupës së Botës në Katar doli në qendër të vëmendjes në kongresin vjetor të organizmit botëror sot.

Udhëheqja e federatës së futbollit të Norvegjisë, Lise Klaveness, një lidere e rrallë femër në skenën ndërkombëtare, tha se dhënia e Kupës së Botës tek Katari ishte “e papranueshme”, përcjell GazetaBlic Sport.

Duke folur në kryeqytetin e Katarit 235 ditë nga fillimi i turneut, Klaveness theksoi mosrespektimin tek të drejtat e njeriut në vendin pritës dhe kërkoi që FIFA të vepronte si “model”.

“Në vitin 2010, Kupat e Botës u dhanë nga FIFA në mënyra të papranueshme, me pasoja të papranueshme”, tha Klaveness në një fjalim në fund të kongresit.

Homoseksualiteti është i paligjshëm në Katar dhe kjo ishte pika ku Klaveness shfaqi edhe kritikat e saj të mëdha, duke thënë se si ka mundësi që organizatori të mos respektojë të drejtat e njeriut.

Ajo foli edhe për shumë punëtorë të vdekur nga kushtet e dobëta, duke thënë se kjo Kupë e Botës nuk e ka hijeshinë e duhur që të luhet në këtë vend.

Klaveness akuzoi gjithashtu drejtuesit e FIFA-s për një përgjigje “ngurruese” ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

/GazetaBlic Sport/