Kupa e Botës 2022

Pepe ‘shpërthen’ pas ndeshjes, kritikon rëndë gjyqtarin: Jam shumë i trishtuar

12/10/2022 18:46
nga:Mergim Rreci

Eliminimi i Portugalisë në çerekfinalet e Kupës së Botës përballë Marokut ka qenë një goditje e rëndë për skuadrën luzitane. Por sipas mbrojtësit Pepe, kjo ishte rrjedhojë e një gjykimi të gabuar nga kryesori argjentinas Fakundo Tejo.

Ai kishte besimin se Tejo ishte ndikuar nga fjalët e djeshme të Messit dhe kishte bërë të pamundurën për të mos lejuar Portugalinë që të shprehte lojën e saj duke dhënë faulle të panumërt.

“Është e papranueshme që një gjyqtar argjentinas të vërshëllejë për këtë ndeshje. Jam shumë i trishtuar, për atë që humbëm. Ishin 90 minuta ku ata u munduan gjithmonë të ndalnin lojën tonë me faulle të lehta, gjyqtari nuk jepte kartonë, nuk i tërhiqte vëmendjen. Kështu shkoi gjithë loja, vetëm faulle. Ata patën fatin që shënuan një gol. Ne punuam shumë dhe bëmë shumë për të fituar ndeshjen.

Ishim gjithmonë para, pësuam në mënyrë të papritur një gol, por ishim gjithmonë më të fortë se ata. Ishte e papranueshme të kishim një gjyqtar argjentinas që drejtonte ndeshjen, pasi u dëgjuan fjalët e Mesit, ndërsa vjen e na gjykon argjentinasi. Në pjesën e dytë nuk u luajt aspak, ai dha vetëm 8 minuta shtesë. Vetëm ne deshëm të luanim në pjesën e dytë. Jemi të mërzitur, kishim cilësi për të fituar, për fat të keq nuk ia dolëm. Nuk na lejuan të luanim”, tha Pepe pas sfidës.