Sporti

Liverpool dhe Manchester United përballen në “Anfield”, super ndeshje në Premier League

04/19/2022 08:54
nga:Mergim Rreci

Premier League vjen me një tjetër “super” sfidë këtë mesjavë, Liverpool – Manchester United.

Në “Anfiled” do të zbresin plot 39 tituj kampion, me “The Reds” të cilët luajnë për titullin e 20-të në histori, për të barazuar pikërisht rekordin e “Djajve të Kuq”.

Skuadra e Jurgen Klopp siguroi në fundjavë finalen e FA Cup, duke eliminuar në gjysmëfinale rivalin direkt për titullin kampion në “ishull”, Manchester City-n e Pep Guardiola-s. Në krahun tjetër, Manchester United është prej javësh jashtë garës për trofeun e Premier League, ndërsa po luan për të mos mbetur edhe jashtë zones Champions për sezonin e ardhshëm.

Liverpool pozicionohet në vendin e dytë, me 73 pikë, një më pak se “Citizens” dhe prezantohet në këtë sfidë pas barazimit 2-2 ndaj këtyre të fundit. United siguroi tre pikë të rëndësishme ndaj Norwich, një sfidë të vendosur nga Ronaldo, ndërsa në klasifikim është forcë e pestë, momentalisht jashtë zonës Champions, tre pikë larg Tottenham Hotspur.

Ky takim zhvillohet në ora 21:00/ss/.