Lajme

Hargreaves në Bruksel për diskutime rreth së ardhmes së Kosovës me NATO’n

02/06/2026 15:20
nga:Mergim Rreci

Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, nga selia e NATO’s përmes një videoje, tha se ka folur me aleatët për të ardhmen e Kosovës me NATO’n.

Ai foli për rëndësinë që ka NATO në Kosovë dhe për mundësinë e një roli që mund ta luajë edhe Kosova në NATO dhe në sigurinë europiane.

Nga atje, Hargreaves tregoi edhe për mandatin e zgjatur të trupave britanike në KFOR.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me miqtë dhe kolegët tanë kosovarë për të siguruar që Kosova të mund të vazhdojë të kontribuojë në sigurinë europiane. Ne gjithashtu mbesim të përkushtuar ndaj punës aktuale të KFOR’it në Kosovë dhe jam i lumtur që kryeministri jonë konfirmoi vitin e kaluar që ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për së paku edhe për tri vjet të tjera për të ndihmuar rolin e Kosovës, garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë”.

Por, ai thotë se roli i Kosovës mund të shkojë përtej, duke luajtur një rol në sigurinë europiane.

“Dhe unë e kam parë nga afër që personeli i sigurisë së Kosovës po punon drejt standardeve të NATO’s dhe në gjithçka që bëjnë – ata kanë zhvilluar disa trajnime të përbashkëta me Mbretërinë e Bashkuar dhe për t’i pajisur që të bëhen përnjëmend një partner i dobishëm potencialisht në Ukrainë apo vende të tjera në Europë”.

Ambasadori britanik tha se Kosova duhet të vazhdojë të punojë që të arrijë standardet e NATO’s dhe që më pas të vazhdojë kontributin në sigurinë e përbashkët europiane.