Ariola Grainca, një vajzë që premton shumë në futbollin e femrave tek Kosova.
Një vajzë e lidhur ngushtë me futbollin dhe e shoqëruar me ëndrrën për ta bërë krenar vendin e saj, Grainca shihet si një futbolliste që ka gjithë të ardhmen në këmbët e saj.
Futbollistja nga Ferizaj, karrierën e saj e ka nisur para një viti tek skuadra e Vizionit, atje ku brenda një viti ka arritur që edhe të sigurojë ftesën nga Kombëtarja U17.
Pjesë e kësaj grupmoshe është edhe tash, atje ku Federata e Futbollit e Kosovës prej 23 deri më 29 mars do të jetë organizatore e turneut të Grupit 5 të rrethit të dytë kualifikues për Kampionatin Evropian 2022 për Kombëtaret U17 në konkurrencën e femrave.
Grainca tha për ‘GazetaBlic Sport’ se futbolli ka qenë në mesin e ëndrrave të saj dhe se futbollistja Kosovare Asllani është e preferuara e saj.
“Futbolli është një nga ëndrrat e mia, andaj kam filluar si e vogël të ushtrohem, që ta plotësoj këtë ëndërr që më flen në zemër tashmë. Po ashtu duke i shikuar disa futbolliste nëpër botë e sidomos Kosovare Asllanin e cila është një herësh favoritja ime, më shtyn që të vazhdoj fuqishëm dhe që në të ardhmën të vazhdojë në hapat e saj”, tha fillimisht Grainca.

Më pas, ajo foli për ëndrrën e madhe për të luajtur për Kombëtaren A të femrave.
“Secila lojtare që jemi pjesë e grupmoshave U17 te Kombëtares së Kosovës, lufton dhe punon që të arrijë të përfaqësoj Kombetaren, ashtu edhe unë fillimisht jam krenare që jam pjesë e Kombetares U17, por do vazhdoj të punoj që të jem tek Kombetarja A. Është nder dhe krenari me qenë pjesë e kësaj kombëtarje“, përfundoi ajo.
/GazetaBlic Sport/


