Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi i ka reaguar skuadrës së Pejës.
Hajrizi ka mohuar kategorikisht akuzat se ka sharë apo ofenduar klubin e KB Pejës, duke theksuar se veprimet e tij janë keqinterpretuar.
Ai pranon se në një moment revolte ka reaguar ndaj një personi që, sipas tij, ka qenë ndër organizatorët e sharjeve në kor ndaj tij, por mohon që kjo të ketë pasur të bëjë me lojtarët apo me klubin në përgjithësi.
“Nuk kam sharë, nuk është në natyrën time. Është e vërtetë se e kam ofenduar në shenjë revolte njërin prej orkestruesve të sharjeve në kor ndaj meje në Pejë, por assesi lojtarët e aq më pak klubin,” thuhet në reagimin e tij.
Basketbollisti gjithashtu ka theksuar kontributin e tij të gjatë për KB Pejën, duke shtuar se këtë e dinë, sipas tij, “tifozët e vjetër dhe Shqiponjat e vërteta”. Ai ka akuzuar disa individë se po tentojnë të zhvendosin vëmendjen nga problemet reale dhe, siç u shpreh, “të fshehin palarat e tyre”.
Në fund të reagimit, Hajrizi ngriti edhe një çështje financiare, duke kërkuar kthimin e një borxhi që sipas tij kap vlerën prej 15 mijë eurosh.
/GazetaBlic Sport/


