Gjendja e 27-vjeçares e cila u godit nga një veturë në fshatin Qyshk të Pejës mbrëmë, është në gjendje të rëndë.
Kështu ka deklaruar, Drejtori i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahija, i cili tha se mëngjesin e sotëm ajo është sjell në këtë klinikë.
“Gjendja e saj është relativisht stabile, por vazhdon me qenë e rëndë”, tha shkurt Spahija për Reporteri.net.
Rasti ka ndodhur pasditen e së martës, ku viktima ka qenë duke kaluar rrugën, teksa është goditur nga vetura.
Policia ka njoftuar se i dyshuari për rastin është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
“Një femër kosovare ka pësuar lëndime trupore pasi është goditur nga një veturë derisa ishte duke e kaluar rrugën. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.
I dyshuari është zyrtar policor. Në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës u tha se ai ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe me veturë civile.
“IPK është informuar nga Policia e Kosovës për një aksident me lëndime të rënda trupore në rrugën magjistrale Prishtinë – Pejë në fshatin Qyshk, ku në aksident është i përfshirë një zyrtar policor me veturë civile dhe jashtë detyrës zyrtare. Aksidenti raportohet të ketë ndodhur sot rreth orës 16:00 ku janë përfshirë një automjet (të cilën ishte drejtuar zyrtari policor jashtë detyrës zyrtare) dhe një këmbësore . Pas pranimit të kësaj informate, IPK menjëherë i është përgjigjur rastit si dhe njësitet tjera relevante policore, përderisa personi i lënduar në këtë aksident është dërguar për tretman mjekësor”, u tha në njoftim të IPK-së.