Si u dekonspirua operacioni i BKH, kullat e shtrenjta të Tiranës strehë për aktivitetet e paligjshme të Europës
Reportazhi i transmetuar mbrëmë nga emisioni investigativ italian “Le Iene”, firmosur nga gazetari Luigi Pelazza, sjell një rrëfim të detajuar të një operacioni kompleks kundër një grupi kriminal që mashtronte mijëra qytetarë evropianë nga zyra luksoze në zemër të Tiranës.
Rrëfimi i gazetarit italian risjell edhe një herë pamjet e përftuara nga personi i infiltuar në call center mashtrues, aty ku identifikohen personazhet kryesorë të grabitjeve online. Shefat e organizatës janë shqiptarë dhe italianë, ndërsa fitimet marramendëse realizohen përmes punonjësve që rekrutohen në Itali.
Gazetari italian filmohet në ambjentet e SPAK, ku ka dërguar materialet e personit të infiltruar në call center nga “Le Iene”, veprime që çojnë në përgjime të tjera dhe në organizimin e operacionit për arrestimin e dhjetëra personave.
Pamjet e ndërhyrjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në kullën “4 ever green toëer” janë përfshinë në videon që mund të shihet KETU, duke dokumentuar momentet e para të mësymjes në godinë dhe arrestimin e disa bashkëpunëtorëve. Sipas Pelazza-s, nga këto zyra nisej një skemë mashtrimi që arrinte të grabiste 20 deri në 30 milionë euro në muaj, nga qytetarë italianë, gjermanë apo francezë.
Mashtrimi, sipas reportazhit, niste gjithmonë njësoj: një telefonatë nga një “konsulent financiar”, që prezantohej si përfaqësues i një platforme investimi online. Më pas, viktimave u premtoheshin fitime të shpejta me një investim fillestar prej 250 eurosh. Më pas, përmes grafikëve të manipuluar, u shfaqeshin shifra fiktive fitimi, duke i shtyrë të investonin gjithnjë e më shumë. Në momentin që tentonin të tërhiqnin paratë, operatorët “zhdukeshin”.
Hetimi i “Le Iene”, i nisur që në shtator, zbulon se rekrutimi i operatorëve kryhej në Itali nga një ish-polic italian, Alfonso Vicinanza, i cili i shoqëronte personalisht të rinjtë drejt Shqipërisë, i sistemonte në apartamente të paguara dhe i dërgonte në call center-in mashtrues në Tiranë.
Në video identifikohet drejtoresha e call center-it në kullën “Atti Toëer”, e njohur si Alma, e cila përmes komunikimeve në “Telegram” përshkruan pa asnjë rezervë përmasat e aktivitetit kriminal: “Kjo është një kompani shumë e madhe në Tiranë, kemi një prodhim shumë të madh. Agjentët e rinj bëjnë 300-400 mijë euro. Deri në një 1 milion pa asnjë problem” i shpjegon ajo të infiltruarit të Le Iene.
Sipas Pelazza-s, në dy kate të kullës punonin rreth 50 operatorë, të ndarë sipas shteteve europiane që mashtronin. Gazetari i “Le Iene” arrin të infiltronet si punonjës, pasi kontakton call center-in duke u paraqitur si i interesuar për punë.
Menaxheri italian, Carlo, i shpjegon hapur rregullat e mashtrimit: “Gjëja e parë e rëndësishme: mendo një emër mbiemër arti, atë të vërtetin nuk duhet ta dinë. Atje mbrapa është tavolina e spanjollëve, atje e gjermanëve dhe në fund francezët.”
Dhe shton thelbin e skemës: “Duhet të krijosh empati.”
Një tjetër operator i tregon gazetarit të infiltruar se fitimet personale janë të jashtëzakonshme: “Unë muajin e kaluar bëra 35 mijë euro.” shpjegon punonjësi gjatë një dreke pune.
Rrëfimi televiziv kulmon me përgatitjen e ndërhyrjes së SPAK. Prokurori Vladimir Mara nis procedurat, ndërsa një prej agjentëve shpjegon operacionin ambjentet e BKH.
Vetëm se ka një problem. Kamerat e sigurisë brenda dhe jashtë kullës kontrolloheshin nga ambasada izraelite dhe ekzistonte frika se nëse personeli i sigurisë do të shikonte agjentë të armatosur, mund të bllokohej ndërhyrja sipas një protokolli të paracaktuar, duke u dhënë kohë mashtruesve të zhduknin provat.
Dhe ashtu ndodh. Operacioni ndërpritet nga një prej agjentëve që ruan ambasadën izraelite, por ai neutralizohet menjëherë.
Në pamjet e transmetuara dëgjohet një agjent i BKH-së që identifikon objektivin kryesor: “Në këtë pozicion këtu qëndron Alma. Ajo është drejtoresha e call center-it” thotë ai, ndersa qëllimi kryesor është kapja e telefonave dhe e kompjuterave sa më shpejt, në mënyrë që të jenë aksesueshëm progamet e bitcoin me miliona euro.
Vetëm se kur agjentët arrijnë në katin e 13, zyrat janë bosh. “Janë hequr gjatë natës. Kush i ka lëvizur? Mbrëmë i keni hequr. Kush i ka lëviz se keni qenë të gjithë në vëzhgim” – dëgjohet t’i thotë një agjent menaxherit, Karlos.
Përgjigjja është e thatë: “Se di, unë nuk di asgjë” përgjigjet ai.
E njëjta situatë përsëritet edhe në katin e 9. Tavolina dhe karrige të braktisura, një frigorifer i harruar, por asnjë kompjuter. Pamjet e kamerave, por edhe pronari i kullës tregojnë se një natë më parë, punonjësit kishin bllokuar ashensorët dhe kishin zbritur pajisjet në garazh, për t’i transferuar në furgonë.
Megjithatë, operacioni nuk dështon.
Falë teknologjisë së survejimit urban, SPAK gjurmon furgonët dhe i ndjek deri në një tjetër kullë të Tiranës, “Doëntoën One”. Pikërisht aty policia ndërhyri dhe kapi në flagrancë pesë persona që po tentonin të fshinin mijëra të dhëna nga kompjuterët.
Në të njëjtën godinë zbulohet edhe një hapësirë tjetër gjigande, me qindra kompjuterë gati për t’u kthyer në një call center të ri mashtrues, që këtë herë u ndal përpara se të niste aktivitetin.
Reportazhi i Luigi Pelazza-s e mbyll rrëfimin duke theksuar se, pavarësisht dekonspirimit të pjesshëm, operacioni i SPAK arriti objektivin, duke çmontuar një strukturë kriminale ndërkombëtare dhe duke hapur rrugën për rikuperimin e një pjese të parave të vjedhura nga mijëra qytetarë evropianë./Lapsi.al


