Lajme

Hetimet ndaj Martin Berishaj, Agjencia Kundër Korrupsionit jep detaje se në çfarë faze janë

05/10/2022 11:58
nga:Q R

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, thotë se për rastin e ambasadorit Martin Berishaj, janë akoma në fillim të procesit duke i pranuar  informatat.

Buleshkaj për GazetaBlic, deklaron se akoma nuk ka diçka konkrete sa i përket kësaj çështje.

“Jemi akoma në fillim, pra duke i pranuar informatat”, deklaron ai.

Kujtojmë se, mediumii slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi.

Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.Berishaj supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Kurse, Gërvalla sot deklaroi se që nga fillimi nuk kanë pasur asnjë arsye që të dyshojnë në deklaratën e Berishajt.

“Ne kemi pasur deklaratën e tij që në fillim dhe nuk kemi pasur asnjë arsye që të dyshojmë në deklaratën e ambasadorit Berishaj, duke e njohur jo vetëm personalitetin e tij – por duke njohur edhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm”.

“Nuk jam unë ajo që më takon t’ju tregojë mediave se si duhet të sillen në raport me personalitete dhe përfaqësues të Kosovës. Kjo është një çështje që ju përket mediave ta shqyrtojnë mes vete” tha Gërvalla.

Mes tjerash, Gërvalla thotë se për të qëndruar krah Berishajt u konsultuan edhe me shtete të ndryshme.

“Unë e kam lexuar dhe e kam ditur edhe më herët qëndrimin e Malit të Zi rreth ambasadorit Berishaj, sepse vendimin për të qëndruar në krah të ambasadorit Berishaj nuk e kemi marrë “apriori”. Por, e kemi marrë duke u bazuar edhe në informacione të shteteve të ndryshme. Prandaj, gëzohem që hap pas hapi edhe opinioni që ka parë një fushatë të jashtëzakonshme denigruese ndaj ambasadorit do të ndërgjegjësohet që vetëm ka qenë e tillë”.

Gërvalla për ambasadorin Berishaj: Vendimin për të qëndruar krah tij e morëm pasi konsultuam shtete të ndryshme