Lajme

Herzog: Vendimin për faljen e Netanyahut do ta marr vetëm duke u bazuar në interesin e shtetit

12/01/2025 16:44
nga:G B

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka deklaruar se kërkesa e paraqitur nga kryeministri Benjamin Netanyahu për falje në çështjen e tij të korrupsionit do të shqyrtohet me “përpikërinë më të madhe” dhe vetëm duke u udhëhequr nga interesi i shtetit dhe i shoqërisë izraelite.

Në një njoftim zyrtar, Herzog theksoi se diskutimet e ashpra publike, si dhe fushatat me tone të dhunshme e polarizuese, nuk do të kenë asnjë ndikim në vendimin e tij.

“Kërkesa për falje do të trajtohet në mënyrën më të saktë dhe institucionale. Do të marr parasysh vetëm të mirën e shtetit dhe të shoqërisë izraelite”, thuhet në deklaratën e presidentit.

Ai po ashtu pranoi se kërkesa e Netanyahut ka ngjallur reagime dhe polemika në opinion.

Megjithatë, Herzog ishte i qartë se presioni publik, sidomos ai me gjuhë kërcënuese apo agresive, nuk do ta ndikojë.

“Diskursi i dhunshëm nuk më ndikon. Përkundrazi, komunikimi i respektueshëm nxit debatin dhe dialogun e shëndetshëm”, ka thënë Herzog.

Presidenti ftoi qytetarët e Izraelit që të dërgojnë komentet dhe qëndrimet e tyre përmes faqes zyrtare të Presidencës, të cilën e cilësoi si “shtëpia e popullit”.