Sporti

‘Heroi’ i Prishtinës në derbin ndaj Gjilanit Agron Kolaj: Fitore shumë e rëndësishme, qëllimi im është që të marrë ftesë nga Kosova

02/05/2024 10:23
nga:E K

Këtë fundjavë janë mësuar ekipet çerekfinaliste të Kupës së Kosovës.

Skuadra e Prishtinës ishte njëra nga ekipet që siguroi biletën për në çerekfinale pasi mposhti Gjilanin në penallti [1-4].

Gardiani i portës së Prishtinës për këtë takim, Agron Kolaj ishte nga më meritorët për kalimin e kryqytetasve tutje duke mbajtur portën të paprekur për 120 minuta edhe pasi Prishtina mbeti me një lojtar më pak në fushë që nga minuta e 19’të pas largimit me karton të kuq të Kushtrim Gashit.

Kolaj në një intervistë për “GazetaBlic Sport” u shpreh i lumtur me paraqitjen e tij dhe të skuadrës duke zbuluar se qëllimi i tij kryesor është pranimi i ftesës në Kombëtaren e Kosovës.

“Sigurisht, paraqitja ishte shumë e mirë nga të gjithë lojtarët, kjo do të thotë se kemi bërë punë të mirë gjatë mini-fazes përgatitore, ku u pa shpirti luftarak i stafit, lojtarëve në fushë dhe në bankin.

Fitore shumë e rëndësishme para fillimit të kampionatit, duke marrë parasysh se si zhvillohej ndeshja, ku luajtëm 102 minuta me 1 lojtar më pak dhe arritëm të kualifikohemi në çerekfinale.

Objektivi personal është ftesa në kombëtaren A, ndërsa objektivat e klubit më të madh në vend janë të njohura, duke përfshirë çdo titull të mundshëm dhe daljen në arenën ndërkombëtare.

Trajneri i ri ka sjellë frymë të re në ekip dhe çdo ditë po punojmë më shumë që të përmbushim detyrat që ai i jep”, tha Kolaj për GazetaBlic Sport.