Kërkesa e Kosovës për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u hoq nga rendi i ditës, konfirmoi delegacioni i Kosovës pranë KiE-së.
Kjo kërkesë ishte në rendin e ditës së takimit të Komitetit, i cili u mbajt në Paris.
Pas kësaj me një sqarim ka dalë Saranda Bogujevci nga Vetëvendosje, pjesë e delegacionit, e cila tha se Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Ajo tha se ky është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.
“Sot ishim në takimin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, të Këshillit të Evropës, ku një nga pikat në rendin e ditës ishte edhe trajtimi i kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për avancim të statusit. Kjo pikë është pjesë procedurale e një shteti që aplikon për anëtarësim. Komiteti e trajton kërkesën me propozim të Byrosë dhe jep opinionin për Byronë, e cila e merr vendimin. Me kërkesë të deputetit Pablo Hispan, udhëheqës i grupit të EPP-së, është shtyrë kjo pikë e rendit të ditës. Kosova ka arritur sukses të jashtëzakonshëm kur, me mbi 80% të votave, kaloi raportin në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim. Procesi më i rëndësishëm është anëtarësimi; ndryshimi i statusit është procedurale dhe i përcaktuar me rregulla të Asamblesë. Është për keqardhje që një shtet e prezanton arritjen e një çështjeje që fare nuk lidhet me ta, për beteja të tyre politike të brendshme siç ka bërë sot Serbia. Republika e Kosovës do të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës sepse tashmë këtë e ka thënë Asambleja me votë. Ky është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.”, ka shkruar ajo.


