Lajme

Heqja e vizave për serbët e Kosovës, Ymeri tregon problemin kryesor të pasaportave dhe ndërlidhjen me Asociacionin

07/23/2024 16:26
nga:Sh R

Këshilli i Bashkimit Europian ka vendosur që t’ua heq vizat serbëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Në lidhje me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, ka folur drejtori i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri, ku thotë se problemi kryesor qëndron në atë se çfarë përmbajtje kanë ato pasaporta.

“Problemi qëndron në atë se çfarë përmbajtje kanë ato pasaporta: janë pasaporta që i lëshon Qeveria e Serbisë dhe të cilat vendbanimet në Kosovë i trajtojnë sikur vendbanime në Republikën e Serbisë. Nuk ka gjë të keqe që serbët e Kosovës që gëzojnë të drejtën e dyshtetësisë të udhëtojnë në zonën Shengen me pasaportën e Serbisë. Mirëpo është dashur që të bëhet trysni në Beograd që këto pasaporta të ndërrojnë formë dhe të mos paraqesin cenim figurative të integritetit territorial të Kosovës”, tha Ymeri.

Ymeri, thotë se ky është një prej rasteve që e dëshmon se sa të pa efektshëm e kemi politikën e jashtme, e sa të lënduara i kemi marrëdhëniet me partnerët perëndimorë.

“Të mos harrojmë që ky lloj i pasaportës ka qenë i përjashtuar nga e drejta e lëvizjes së lirë në zonën Shengen edhe pse pasaporta e Serbisë e ka gëzuar këtë të drejtë tash e sa vite. Ndërkohë që serbët qytetar të Kosovës e kanë edhe mundësinë e pajisjes me pasaporta të Kosovës dhe të udhëtimit pa viza prej janarit të këtij viti. Pra, argumenti se është vetëm ky komunitet i përjashtuar nga e drejta e lëvizjes së lirë nuk qëndron. Ky është edhe një prej rasteve që e dëshmon se sa të paefektshëm e kemi politikën e jashtme e sa të lënduara i kemi marrëdhëniet me partnerët tanë perëndimor: nuk po kemi sukses t’i bindim për të na mbështetur edhe kur i kemi kërkesat e qëndrimet plotësisht të drejta e parimore”, u shpreh ai.

Tutje, ai thekson se nuk ka ndonjë ndërlidhshmëri mes zbatimit të Asociacionit dhe heqjes së vizave për serbët e Kosovës.

“Nuk mendoj se ka ndonjë ndërlidhshmëri mes këtyre dyjave. Nuk ka asnjë dokument rreth Asociacionit të cilin e kemi parë si publik e që e lë të kuptohet se Asociacioni e ka këtë prerogative institucionale: pra të lëshimit të pasaportave. Dhe as nuk mund të ketë sepse një prerogativë e tillë do ta krijonte një Republikë të fuqishme serbe brenda Kosovës, gjë për të cilën askush përveç Serbisë nuk e kerkon, nuk e mbështet e nuk e pranon” përfundoi Ymeri për GazetaBlic.