Lajme

Heqja e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta ilegale/ Qeveria: Nuk u konsultuan me ne, dëmtuan përpjekjet tona

07/22/2024 13:49
nga:G B

Qeveria e Kosovës është shprehur e zhgënjyer me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian në lidhje me “liberalizimin e vizave” për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe, për qytetarët serb të Kosovës.

Këshilltari i zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, thotë për Gazeta Blic se ato pasaporta nuk do të njihen institucionet kosovare.

“Shprehim zhgënjimin tonё me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian në lidhje me “liberalizimin e vizave” për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe, për qytetarët serb të Kosovës. Cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale, në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës. Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona”, u shpreh ai.

Kadriu shtoi se është e pashpjegueshme ngutia e vendimit, pa asnjë konsultim me institucionet e Kosovës.

“Secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Republikës së Kosovës. Andaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin. Po ashtu, e pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet qё munden dhe do tё pёrcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, thekson ai.

Sipas tij, vendimi dëmton përpjekjet e Kosovës për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Ky vendim, dёmton përpjekjet tona të vazhdueshme për integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Republika e Kosovës po zbaton politika në fusha të ndryshme, të cilat po i sjellin qytetarët më pranë institucioneve, e gjersa dhe me liberalizimin e vizave për Kosovën, pati rritje të ndjeshme e të prekshme të qytetarëve nga komuniteti serb të cilët u pajisën dhe po pajisen me dokumentat e Republikës sonë”, deklaron Kadiu për Gazeta Blic.
 

Këshilli i BE-së ua heq vizat serbëve të Kosovës me pasaporta të Serbisë