Këshilli Evropian sot ka marrë vendim për liberalizimin e vizave për qytetarët që mbajnë pasaporta serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Sipas komunikatës së Këshillit Evropian, vendimi përfshin heqjen e vizave për serbët me pasaporta të Serbisë, duke përfshirë kështu të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në të njëjtin regjim të vizave.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se vendimi dëmton përpjekjet për dialog të balancuar dhe cenon sovranitetin e vendit.
“Ky vendim dëmton përpjekjet për dialog të balancuar sepse cenon sovranitetin e Republikës së Kosovës, dëmton procesin integrues për komunitetin serb këtu në Kosovë dhe është precedent i rrezikshëm për rajonin dhe më gjerë”, shprehet ai.
Sipas Batushës, vendimi i tillë është hap në drejtim të kundërt me paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Lëvizja e lirë është vlerë dhe mundësi për secilin qytetar dhe këtë u mundësohet përmes pasaportave të Kosovës. Andaj, një vendim i tillë i Këshillit të BE-së mendoj që është hap në drejtim të kundërt me paqen dhe stabilitetin në rajon”, deklaron deputeti i VV-së, Agon Batusha./Gazeta Blic/
Këshilli i BE-së ua heq vizat serbëve të Kosovës me pasaporta të Serbisë


